UBT News

Kryebashkiaku i Tiranës para gjykatës si i dyshuar për korrupsion

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortja e tij, janë paraqitur mëngjesin e së mërkurës në Gjykatën e Posaçme, në një seancë ku gjykatësi pritet të vendosë për masat e sigurisë kundër tyre në një rast të dyshuar korrupsioni dhe ryshfeti.

Veliaj, një figurë e rëndësishme e partisë në pushtet në Shqipëri, Partia Socialiste, u arrestua të hënën dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) ka kërkuar që ai të mbahet në paraburgim.

Ai akuzohet për korrupsion që përfshin të paktën 1.1 milionë euro fonde publike, duke u dhënë para publike bizneseve të cilat në këmbim i jepnin familjes së tij fitime të paligjshme.

Ndërkohë, prokurorët kërkuan që bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, të mbahet në arrest shtëpiak si e dyshuar për korrupsion pasiv, shpëlarje parash dhe për mosdeklarim të të ardhurave.

Seanca u ndërpre pas gjysmë ore dhe do të rinisë në orën 13:30, pasi avokatët kanë kërkuar kohë të njihen me dosjen dhe më pas të shprehin pretendimet e tyre kundër SPAK-ut.

Derisa Veliaj doli para gjykatës, kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste në pushtet, Edi Rama, tha para deputetëve se “nuk ka prova” ndaj Veliajt dhe e cilësoi dosjen e prokurorisë si “një roman prej 400 faqesh, me shumë personazhe, por pa fakte”.

Ai theksoi se qëndrimi i Qeverisë dhe partisë që drejton për të mbështetur drejtësinë dhe luftën ndaj korrupsionit nuk ndryshon, por tha se “mungon një palë konstruktive që të jetë garantuese e pavarësisë së drejtësisë”.

Në këtë rast po hetohet edhe deputetja socialiste, Klotilda Bushka, e dyshuar për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Bushka tha se nuk është thirrur asnjëherë dhe nuk i është dhënë mundësia të sqarohet. Ajo pranoi se ka qenë pjesë e disa aktiviteteve të shoqërisë civile, por tha se ka qenë aty si “bashkëpunëtore dhe mike e organizatorëve”.

Veliaj – në mandatin e tij të dytë si kryetar bashkie – dyshohet se ka krijuar një skemë korruptive mes disa kompanive në pronësi të bashkëshortes së tij dhe gjashtë biznesmenëve të lidhur me të.

Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.

SPKA tha se hetimet kanë gjetur se Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë “ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme”.

Hetimet kanë treguar se bashkëshortja e Veliajt, vetë ose përmes personave të afërt me të, ka bërë blerje online në vlerën 86.721.175 lekë (873.878 euro), kryesisht veshje dhe bizhuteri. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar, siç e parashikon ligji.

Gjykata ka urdhëruar edhe sekuestrimin e disa llogari bankare të Ajola Xoxës dhe shoqërive të lidhura me të, që kapin vlerën e 869.149 eurove.

Ndërsa, në zyrat e një prej shoqërive të administruara prej saj janë gjetur në një kasafortë dhe janë sekuestruar 95.350 euro, 14,900 dollarë dhe 665.000 lekë (6.700 euro)./REL/

Exit mobile version