UBT News

Kryebashkiaku i New Yorkut e quan Netanyahun “kriminel lufte”, e pranon se s’mund ta arrestojë

Kryebashkiaku i New Yorkut, Zohran Mamdani, ka publikuar të martën një video në platformën X, në të cilën e ka quajtur kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, “kriminel lufte”.

Në video, ai ka shprehur pajtimin me qëndrimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) se Netanyahu “duhet të arrestohet dhe të gjykohet”, si dhe ka treguar se administrata e tij kishte shqyrtuar mundësinë nëse qyteti i New Yorkut mund ta zbatonte urdhërarrestin e ICC-së nëse Netanyahu do të vizitonte qytetin, megjithatë, është konstatuar qartë se ata nuk e kanë autoritetin ligjor për ta zbatuar atë urdhër.

Një ditë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Netanyahu nuk do të arrestohej gjatë vizitës së tij në SHBA.

Ai ia ka dhënë këtë garanci kryeministrit izraelit pasi Mamdani i kishte thënë gazetës “New York Times” se Netanyahu “e ka vendin në Hagë” dhe se ishte në “diskutime aktive” me departamentin ligjor të qytetit lidhur me mundësinë e arrestimit të tij, nëse ai do të vinte në New York për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.

“Benjamin Netanyahu nuk do të arrestohet, në asnjë mënyrë apo formë, ndërsa ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Trumpi të hënën në një postim në rrjetet sociale, ku nuk e përmendi drejtpërdrejt Mamdanin.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore vitin e kaluar, Mamdani kishte deklaruar se do të urdhëronte policinë e qytetit të arrestonte Netanyahun në bazë të urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për shkak të rolit të tij në luftën në Gaza.

Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, e ka kritikuar të martën postimin e Mamdanit në X, duke thënë “mjaft më” dhe “ju jeni zgjedhur për t’u shërbyer banorëve të New Yorkut”. /A.K/

Exit mobile version