Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka paralajmëruar se do të nisë shkyçjen e menjëhershme nga rrjeti të konsumatorëve që kanë dy ose më shumë fatura të papaguara radhazi.
Përmes një njoftimi publik, kompania ka bërë të ditur se ekipet e saj në terren kanë filluar zbatimin e këtyre masave ndaj konsumatorëve që nuk i kanë përmbushur obligimet financiare për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit.
Përveç shkyçjes, lëndët e konsumatorëve me borxhe do të procedohen te përmbaruesit privatë, çka mund të sjellë edhe shpenzime shtesë ligjore dhe tarifa për rikyçje.
KRU “Prishtina” u ka bërë thirrje konsumatorëve që t’i shlyejnë borxhet sa më parë për të shmangur këto masa.
Pagesat mund të kryhen përmes platformës zyrtare dhe aplikacionit mobil të kompanisë, platformës eKosova, si dhe në pikat e Postës së Kosovës, bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare.
Për konsumatorët që nuk kanë mundësi ta paguajnë të gjithë borxhin menjëherë, kompania ofron mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve për riprogramimin e tij me këste mujore. Për këtë, ata duhet të paraqiten në sportelet zyrtare të kompanisë para se të zbatohet masa e shkyçjes./A.K/
