UBT News

Kriza në Ukrainë: Macron thotë se ditët e ardhshme janë vendimtare

Presidenti francez, Emmanuel Macron thotë se ditët në vijim do të jenë vendimtare për de-përshkallëzimin e situatës në Ukrainë, pas takimit me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Putin la të nënkuptohet se u arrit progres gjatë samitit të tij të parë në Moskë me një udhëheqës perëndimor qëkur trupat ruse u grumbulluan në kufijtë e Ukrainës. Moska ka mohuar planet për pushtim. Megjithatë fuqitë perëndimore janë shumë të shqetësuara për një konflikt të mundshëm.

Zyrtarët amerikanë thanë të dielën se Rusia ka mbledhur 70% të forcave ushtarake të nevojshme për pushtim të plotë të Ukrainës në mes të muajit.

Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden kërcënoi se do të mbyllë një tubacion kryesor të gazit rus për në Gjermani nëse Moska pushton Ukrainën pas një takimi me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Uashington.

Edhe kryeministri britanik Boris Johnson ka shprehur mbështetjen e tij për sanksionet. Johnson deklaroi se Mbretëria e Bashkuar po shqyrton vendosjen e luftëtarëve të Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) dhe anijeve luftarake të Marinës Mbretërore në rajon.

Vendet perëndimore kanë hedhur poshtë tashmë një sërë kërkesash të Moskës, duke përfshirë që aleanca e mbrojtjes e NATO-s të përjashtojë mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës dhe që të zvogëlojë praninë e saj ushtarake në Evropën Lindore.

Macron, pas takimit me Putinin, në një konferencë për media deklaroi se ditët e ardhshme janë “vendimtare” dhe “kërkojnë diskutime intensive” rreth situatës në Ukrainë.

Ata do të zhvillojnë edhe një bisedë pasi presidenti francez ka udhëtuar drejt Kievit të martën për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky./UBTNews

Exit mobile version