Për të dytin vit radhazi, kriza në Burkina Faso është cilësuar si më e neglizhuara në botë nga Këshilli Norvegjez i Refugjatëve.
Në raportin vjetor që u publikua të hënën, NRC tha se ky vend afrikano-perëndimor shënoi rekord prej 707 mijë të zhvendosurve në vitin 2023, dhe kjo u nxit si pasojë e eskalimit të dhunës dhe përkeqësimit të krizës humanitare.
Nëntë prej dhjetë krizave që u përmendën në raport janë në Afrikë; ku Kameruni, Republika e Afrikës Qendrore, Mali dhe Nigeri mbajnë vendet e dyta përkatësisht deri në të pestën.
NRC njoftoi në një deklaratë për shtyp se kriteret e saj për ta cilësuar një krizë si më të neglizhuarën janë: “mungesa e financimit humanitar, mungesa e vëmendjes së medias dhe mungesa e iniciativave ndërkombëtare politike dhe diplomatike në krahasim me numrin e njerëzve në nevojë”.
Sipas raportit, viti 2023 shënoi një mungesë rekord në buxhetet e ndihmave humanitare prej rreth 32 miliardë dollarë, duke lënë më shumë se gjysmën e nevojave humanitare në mbarë botën të paplotësuara./UBTNews/