Analizë nga Ralph Shoellhammer “The Post”
Kanë kaluar gati gjashtë muaj që kur Putini filloi pushtimin e Ukrainës, por për Evropën, më e keqja nuk ka ardhur ende. Tashmë kompanitë po mendojnë të ndërpresin prodhimin, duke përfshirë shkritoret e aluminit në Sllovaki dhe prodhuesit e fertilizantëve në Mbretërinë e Bashkuar.
Korporatat duhet të planifikojnë në terma afatgjatë dhe kontratat e ardhshme për energjinë elektrike (të cilat supozohet të fiksojnë kostot e energjisë) janë në nivelet më të larta të të gjitha kohërave, për vitet 2023 dhe 2024.
Për të ardhmen e parashikueshme, kostot e larta të energjisë do të jenë normalja e re, duke e bërë më të shtrenjtë prodhimin e gjithçkaje, nga ushqimi tek letra, e deri te kimikatet. Për më tepër, nuk është aspak e qartë se deri në çfarë mase do të ketë ujë të ngrohtë, energji elektrike dhe ngrohje në vende si Gjermania, Austria, Italia apo Hungaria – ose si do të reagojë popullsia nëse do të ketë mungesa reale në këto zona.
Megjithatë, jo të gjitha vendet varen në të njëjtën masë nga Rusia, e cila po bëhet pika më e re e mosmarrëveshjeve brenda BE-së. Në një situatë ideale, 27 shtetet anëtare do të paraqisnin një front të unifikuar, duke u përpjekur të përballonin së bashku krizën e vazhdueshme energjetike. Megjithatë, asgjë nga këto nuk po ndodh në të vërtetë, dhe në një mënyrë ose në një tjetër të gjithë po mbrojnë veten. Hungaria shkoi aq larg sa dërgoi sekretarin e saj të jashtëm në Moskë për të kërkuar vazhdimin e prurjeve të gazit, ndërkohë që solidariteti mes shteteve anëtare ka filluar të dobësohet.
Propozimi i Komisionit Evropian për të reduktuar sa më shpejt konsumin e gazit me 15% u prit me rezistencë të ashpër nga Portugalia, Spanja, Greqia, Italia dhe të tjerë që varen më pak nga gazi rus dhe mendojnë se po detyrohen të kompensojnë gabimet e të tjerëve, veçanërisht të Gjermanisë. Por duke qenë se marrëveshja bazohet në uljen vullnetare të konsumit të gazit deri në pranverën e ardhshme, njoftimi në thelb është i pakuptimtë.
Eshtë joreale ideja se çdo qeveri evropiane do të shkaktojë “vullnetarisht” një krizë energjie mbi elektoratin e saj kur nuk është absolutisht e nevojshme. BE-ja dhe anëtarët e saj nuk kanë historikun më të mirë kur bëhet fjalë për respektimin e rregullave detyruese (thjesht mbani mend klauzolën për borxhin sovran të shteteve gjatë krizës globale financiare 2008-2010), kështu që ka edhe më pak gjasa që një marrëveshje vullnetare të jetë shumë efektive.
Me inflacionin e shfrenuar në Eurozonë, Banka Qendrore Evropiane do të detyrohet të rrisë normat e interesit, gjë që do të krijojë kushte të ngjashme me vitin 2010 dhe mund të zhysë Evropën Jugore në një krizë të re borxhi sovran. Dhe përsëri, ka shumë të ngjarë që Gjermania të jetë ajo që do të duhet të marrë drejtimin në mbajtjen e Eurozonës të bashkuar. Megjithatë, pyetja është: a do të ketë Berlini ende burimet për ta bërë këtë, nëse ekonomia e tij është në recesion?
Fuqia ekonomike gjermane po dobësohet dhe me bazën industriale duke u dobësuar si dhe popullsinë më të varfër, gatishmëria për të mbështetur anëtarët e tjerë të Eurozonës do të jetë më e kufizuar. Kjo nuk është një recetë për stabilitet dhe duket më e mundshme që solidariteti evropian tashmë e ka lënë pas pikën e vet më të lartë. /Bota.al