Vonimi i formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit do të ndikonte në thellimin e krizës ekonomike në vend, vlerëson kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini.
Shahini në një intervistë për Ekonomia Online tha se mosfunksionimi i institucioneve për marrjen e vendimeve mund të pengojë nxjerrjen e vendimeve e votimin e ligjeve.
“Natyrisht, sepse kur fondet ndërkombëtare janë të gatshme t’i mbështesin ekonomitë e ndryshme në krizë në Ballkan, e që ato ekonomi mund të mbështeten vetëm nëse ka stabilitet ekonomik dhe ka Parlament funksional dhe Qeveri funksionale që merr vendime dhe nxjerr ligje për mbështetje, atëherë ne do të kemi mjete të mjaftueshme për zhvillimin ekonomik të vendit. Njëkohësisht mund të kemi krizë prezente për shkak të mosfunksionalizimit të Parlamentit dhe Qeverisë dhe vendimeve të mëdha që duhet të merren për zhvillimin dhe rimëkëmbjen ekonomike”, deklaroi ai.
Madje sipas tij, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë një nga sfidat dhe pengesat e zhvillimit dhe integrimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtare.
Shahini e ka thënë se vendi në vitin 2021 do të ballafaqohet e krizë ekonomike dhe politike. Ai ka përmendur se vitin e kaluar është dëmtuar edhe imazhi i vendit nga Gjykata Speciale, raporton EO.
“Këtë vit do ballafaqohemi me krizë ekonomike, me krizë politike dhe duke mos anashkaluar edhe dëmtimin e imazhit të vendit gjatë gjithë vitit të kaluar duke përfshirë këtu edhe Gjykatën Speciale, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë, i cili do të jetë një nga sfidat dhe një nga pengesat e zhvillimit dhe integrimit të Kosovës drejt mekanizmave ndërkombëtar”, shtoi ai.