Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny, u shpall fajtor për mashtrim të martën në një rast që mund t’i sjellë atij deri në 13 vjet burg, përcjell UBT News.
Navalny po vuan tashmë një dënim prej dy vitesh e gjysmë. Ai thotë se të dyja rastet janë fabrikuar në një përpjekje për t’i mbyllur gojën.
“Navalny kreu një mashtrim, vjedhjen e pronës nga të tjerët nga një grup i organizuar”, tha gjyqtarja Margarita Kotova, sipas një gazetari të AFP-së, i pranishëm në gjykatë.
Leximi i aktgjykimit deri në shpalljen e dënimit mund të zgjasë disa orë. Prokuroria kishte kërkuar 13 vite burg.
Navalny, një aktivist i njohur për hetimet e tij mbi korrupsionin dhe stilin e jetesës së elitave ruse, ai i mbijetoi një helmimi të rëndë në vitin 2020, për të cilin ai mban përgjegjës presidentin Vladimir Putin. Ai u arrestua në fillim të vitit 2021, pas kthimit të tij në Moskë, pasi u shërua në Gjermani.
Hetuesit e akuzojnë atë për përvetësim të miliona rublave në donacione për organizatat e tij kundër korrupsionit dhe për “përçmim të gjykatës” gjatë një prej seancave të tij të mëparshme.
Zëra të tjerë kritikë janë shënjestruar nga Moska në muajt e fundit, duke përfshirë OJQ-të dhe mediat e pavarura.
Të hënën, Instagram dhe Facebook u ndaluan pasi kompania e tyre mëmë Meta u shpall një “organizatë ekstremiste” nga një gjykatë në Moskë./UBTNews/