Kritikat dhe shqetësimet globale u rritën të mërkurën pasi policia izraelite sulmoi palestinezët brenda vendit të tretë më të shenjtë të Islamit, duke shkaktuar një shkëmbim ushtarak raketash dhe sulmesh ajrore, me frikën e përshkallëzimit të mëtejshëm.
Policia e armatosur izrealite sulmoi sallën e lutjeve të xhamisë Al-Aksa para agimit të së mërkurës, duke synuar të zhvendosë “të rinjtë shkelës të ligjit dhe agjitatorët e maskuar”, për të cilët ata thanë se ishin barrikaduar brenda.
Me këtë rast më shumë se 350 persona u arrestuan.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ishte “i tronditur dhe i tmerruar” nga imazhet e forcave izraelite të sigurisë duke rrahur njerëzit në xhami, veçanërisht nga fakti se ajo erdhi në një kohë të shenjtë për hebrenjtë, të krishterët dhe muslimanët që duhet të ishte një periudhë paqeje, tha zëdhënësi.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se Shtetet e Bashkuara thanë se ai ishte “jashtëzakonisht i shqetësuar nga dhuna e vazhdueshme dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm”.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, vendi i të cilit dhe Izraeli kanë rindërtuar lidhjet, tha: “Shkelja e xhamisë Al-Aksa është vija jonë e kuqe”.
Dhuna në konfliktin izraelito-palestinez është intensifikuar që kur qeveria e re e kryeministrit Benjamin Netanyahu mori pushtetin në dhjetor.
Dëshmitari palestinez Abdel Karim Ikraiem, 74 vjeç, tha se policia izraelite e armatosur me shkopinj, granata me gaz lotsjellës dhe bomba tymuese, hyri në xhami “me dhunë” dhe “rrahu gratë dhe burrat” që po kryenin rituale fetare.
Një video e shpërndarë gjerësisht në mediat sociale tregonte policinë duke u përplasur me njerëzit në dysheme brenda xhamisë. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se kishte trajtuar 37 persona, përfshirë disa pas lirimit të tyre nga paraburgimi./UBTNews/