Presidenti amerikan, Joe Biden e quajti presidentin Vladimir Putin një kriminel lufte për here të parë, pasi forcat ruse goditën edhe një herë civilë në pushtimin e tyre të Ukrainës.
Biden bëri komentin në përgjigjen e tij ndaj një gazetari, i cili e pyeti nëse mendonte se Putin po kryente krime lufte.
“Po mendoj se ai është një kriminel lufte”, u shpreh Biden. Këtë Kremlini e quajti një retorikë të pafalshme.
Më herët gjatë ditës së mërkurë, Biden nënshkroi një paketë të re ndihme prej 800 milionë dollarësh duke e çuar shumën totale të kontributit amerikan në Ukrainë në 1 miliardë dollarë.
Një element kyç është ndihma që po i jepet Ukrainës për të marrë një sistem mbrojtjeje ajrore me rreze të gjatë veprimi dhe akses ndaj dronëve për herë të parë.
Megjithatë nuk ka pasur asnjë premtim për vendosjen e një zone ndalim fluturimi mbi Ukrainë, pavarësisht apelit të drejtuar Kongresit të SHBA nga Presidenti Volodymyr Zelenski.
“Vendosja e një zone ndalim fluturimi mbi Ukrainë në mënyrë që të shpëtohen jetë njerëzish, a është shume për të kërkuar? Një zonë humanitare ndalim fluturimi është një kusht nën të cilin Rusia nuk do të mund të terrorizojë qytetet tona paqësore çdo dite dhe çdo natë.
Në Moskë, presidenti Putin paralajmëroi rusët kundër rusëve properëndimorë.
“Perëndimi kolektiv po përpiqet të përçajë shoqërinë tonë, duke spekuluar mbi humbjet ushtarake, për pasojat socio-ekonomike të sanksioneve – për të provokuar një konfrontim civil në Rusi dhe, duke përdorur kolonën e tij të pestë, përpiqet të arrijë këtë qëllim. Dhe synimi i tyre është një, e kam thënë tashmë këtë, shkatërrimi i Rusisë”, tha Putin.
Kritikët e Putinit thonë se fjalimi i tij ishte një paralajmërim i ashpër për një vale të re represioni ndaj atyre që kundërshtojnë regjimin e tij.