Italia po përballet me një situatë alarmante në lidhje me abuzimet ndaj të miturve, sipas të dhënave të fundit nga autoritetet. Një raport i Shërbimit të Analizës nga Drejtoria Qendrore e Policisë Kriminale tregon se gjatë dekadës së fundit, raste të abuzimit në familje janë rritur me 34%, duke arritur në një total prej 2843 rasteve, një rritje prej 6% që nga viti 2022 dhe më shumë se dyfishim krahasuar me vitin 2013.
Të dhënat e prezantuara në Dhomën e Deputetëve në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të “Vajzave të Vogla” zbulojnë se vajzat dhe të rejat përbëjnë 61% të viktimave të këtyre krimeve. Rritja e abuzimeve është kryesisht e lidhur me krimet seksuale, ku 89% e viktimave të dhunës seksuale janë femra, ndërsa 79% e viktimave të akteve seksuale me të mitur janë gjithashtu vajza.
Pjesë e kësaj statistike alarmante përfshijnë gjithashtu raste të posedimit të materialeve pornografike dhe korrupsionit të të miturve, ku në të dyja rastet 78% e viktimave janë femra. Po ashtu, 64% e viktimave të prostitucionit dhe pornografisë me fëmijë janë vajza ose gra të reja.
Kjo situatë ngre një shqetësim të madh në shoqërinë italiane, e cila tashmë po kërkon masa më të rrepta për mbrojtjen e fëmijëve dhe sensibilizimin e publikut për krimet ndaj të miturve. Autoritetet dhe organizatat e shoqërisë civile po bëjnë thirrje për veprime të menjëhershme për të parandaluar këto abuzime dhe për të mbështetur viktimat./UBTNews/