Në 26-vjetorin e masakrës serbe në Studime të Vushtrrisë u kërkua drejtësi për 116 shqiptarët e vrarë më 2 maj 1999.
Në akademinë përkujtimore, të organizuar nga Komuna e Vushtrrisë, u kërkua edhe unitet politik.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se strategjia gjenocidale serbe përfshiu edhe fshatrat e Vushtrrisë ku mbeten të vrarë 116 civilë. Ai theksoi se vetëm me dënim për ata që kryen këtë masakër familjarët do të gjejnë prehje, dhe paqja do të jetë e qëndrueshme.
Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi tha se masakra e 2 majit ka lënë gjurmë të mëdha e te pashlyeshme, ndërsa kriminelët serbë që kryen këtë masakër ende nuk janë dënuar.
Në këtë akademi përkujtimore i pranishëm ishte edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili tha se i paharruar është kujtimi për të gjithë të rënët për liri.
Sokol Gjata, në emër të familjarëve, kërkoi që amaneti i martirëve dhe të rënëve për liri mos të harrohet në zyrat e shtetit.
26 vjet më parë, më 2 maj të vitit 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan 116 civilë të pafajshëm shqiptarë. Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri. Dëshmitarët kishin deklaruar se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.