UBT News

Krimet Ekonomike me aksion në disa lokacione, dyshohen zyrtarë të shtetit

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, janë duke realizuar një aksion në disa lokacione. Lajmi është bërë i ditur sot nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj. Ajo ka thënë se aksioni i cili ka nisur në mëngjes dhe po vazhdon ende ka të bëjë me dyshimet mbi kryerjen e veprave penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi”.

Ulaj ka thënë se aksioni është urdhëruar nga Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, njofton se nën udhëheqjen e kësaj prokurorie, më konkretisht nga Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim të plotë me Policinë dhe pas aprovimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, është duke u zhvilluar një aksion që nga mëngjesi, përfshirë disa lokacione në nivel në Kosovës, mbi dyshimin e kryerjes së veprave penale nga persona zyrtarë e qytetarë, më konkretisht dyshim mbi kryerjen e veprave penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangia nga tatimi’”, ka thënë Ulaj.

Ajo ka shtuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë do t’iu njoftojë me kohë për zhvillimet nga ky aksion, pasi të mbarojë i tëri.

Exit mobile version