Presidenti amerikan, Joe Biden ka akuzuar forcat ruse për kryerje të “gjenocidit” në Ukrainë, duke thënë se Vladimir Putin duket se synon “të përpiqet të zhdukë idenë” e një identiteti të veçantë ukrainas.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky gjithashtu ka akuzuar Rusinë për gjenocid, pas zbulimit të qindra trupave të civilëve në zonat që kontrolloheshin nga forcat ruse dhe e cilësoi rrethimin e përgjakshëm të portit jugor të Mariupolit si “krim kundër njerëzimit”.
Ne shikojmë kategoritë e ndryshme të krimeve më të rënda të njohura për njeriun, për të cilat Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) në Hagë u krijua për t’i ndjekur penalisht.
As Rusia dhe as Ukraina nuk janë palë në ICC, por Kievi e ka pranuar juridiksionin e gjykatës për krimet e kryera në territorin e saj që nga pushtimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Gjykata hapi një hetim mbi krimet e dyshuara të luftës në Ukrainë më 3 mars të këtij viti.
Çfarë është një krim lufte?
Krimet e luftës janë shkelje serioze e ligjit ndërkombëtar kundër civilëve dhe luftëtarëve gjatë konfliktit të armatosur.
Parametrat se çfarë përbën një krim lufte përcaktohen në nenin 8 të Statutit të Romës të vitit 1998 që themeloi ICC-në.
Ai i përcakton ato si “shkelje të rënda” të Konventave të Gjenevës të vitit 1949 që mbulojnë më shumë se 50 skenarë, duke përfshirë vrasjen, torturën, përdhunimin dhe marrjen e pengjeve, si dhe sulmet ndaj misioneve humanitare.
Neni 8 mbulon gjithashtu sulmet e qëllimshme ndaj civilëve ose “qyteteve, fshatrave, banesave ose ndërtesave që janë të pambrojtura dhe që nuk janë objektiva ushtarake”, si dhe “deportimin ose transferimin e të gjithë ose pjesëve të popullsisë” të një territori të pushtuar.
Autoritetet e Ukrainës thonë se kanë marrë 5600 ankesa për krime lufte të dyshuara nga forcat ruse që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.
Çfarë është një krim kundër njerëzimit?
Nocioni i një krimi të tillë u parashtrua për herë të parë më 8 gusht 1945 dhe u kodifikua në nenin 7 të Statutit të Romës. Ai përfshin “një sulm të gjerë ose sistematik të drejtuar kundër çdo popullsie civile” duke përfshirë “vrasjen” dhe “shfarosjen” si dhe “skllavërimin” dhe “deportimin ose transferimin me forcë”.
Krimet kundër njerëzimit mund të ndodhin në kohë paqeje dhe përfshijnë torturën, përdhunimin dhe diskriminimin, qoftë racor, etnik, kulturor, fetar apo me bazë gjinore.
Çfarë është gjenocidi?
Gjenocidi si një koncept ligjor që daton që nga gjyqet e Nuremburgut të kriminelëve nazistë të luftës, me avokatin polako-hebre Raphael Lemkin që shpiku termin për të përshkruar shfarosjen naziste të gjashtë milionë hebrenjve.
Krimi i gjenocidit u krijua zyrtarisht në Konventën e Gjenocidit të vitit 1948 për të përshkruar “aktet e kryera me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”.
Gjenocidi është një “krim ndërkombëtar shumë specifik” i cili është i vështirë për t’u provuar, thotë Cecily Rose, profesoreshë e së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Leiden në Holandë, duke vënë në dukje se ai kërkon prova të “motivimit mendor” pas tij.
I ri: Krimi i agresionit
ICC shtoi një krim agresioni në kompetencën e saj në 2017 për të përfshirë sulmet ndaj “sovranitetit, integritetit territorial ose pavarësisë politike” të një vendi tjetër.
Kjo ka për qëllim të sigurojë që udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të mbahen përgjegjës për pushtimet, por nuk mund të përdoret kundër dhjetëra anëtarëve të GJNP-së që nuk e kanë njohur juridiksionin e gjykatës për krimin, as kundër joanëtarëve.
Ekspertët ligjorë thonë se ngritja e një çështjeje të tillë kundër presidentit rus mund të kërkojë ngritjen e një gjykate speciale për Ukrainën./UBTNews/