Në takimin e sotëm mes zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi dhe Koordinatores Rezidente të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, u zyrtarizua krijimi i Fondit të Përbashkët Përshpejtues të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm për Kosovën. Fondi po themelohet me qëllim avancimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm në linjë dhe me realizimin e Agjendës 2030.
Kontributi fillestar në këtë fond do të jetë i Kosovës dhe ajo në shumën e 200 mijë eurove.
“Fondi në vazhdimësi mund të rritet në varësi të prioriteteve të përcaktuara dhe në shërbim të përmbushjes së objektivave të parapara, të cilat lidhen ndër të tjera me uljen e shkallës së varfërisë, rritjen e kapacitetit të energjisë së ripërtëritshme, transformimi digjital, si dhe ndërmarrjen e reformave të rëndësishme në sistemin arsimor. Fondi do të pranojë dhe kontribute nga donatorë e partnerë, teksa ndaj çdo financimi shtesë nga donatorët Qeveria do të kontribuojë në vlerën prej 20% të shumës”, thuhet në komunikatë.
Bislimi theksoi përkushtimin e Qeverisë në përmbushjen e OZhQ-ve dhe zbatimin e Agjendës 2030, me fondin si faktor shtesë shtytës dhe katalizator.
“Ne besojmë se angazhimi ynë në krijimin e këtij Fondi do të kontribuojë edhe më tej në përpjekjet drejt krijimit të një shoqërie të barabartë për të gjithë, përmes arritjes së objektivave për zhvillim të qëndrueshëm të cilat janë të pasqyruara edhe në Strategjinë tonë Kombëtare për Zhvillim”, u shpreh zëvendëskryeministri përgjatë takimit.
Nga ana e saj, znj. Spence e përshëndeti vendimin e Qeverisë për themelimin e këtij fondi bashkë me kontributin fillestar, duke shtuar se krijimi i tij dëshmon angazhimin e përbashkët për të adresuar sfidat komplekse të zhvillimit të qëndrueshëm. Në përfundim, palët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë, në rrugën përpara drejt realizimit të OZhQ-ve dhe Agjendës 2030.