Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka mbajtur konferencë për medie në përmbyllje të mandatit.
Me këtë rast tha se nga 19 931 lëndë ta pazgjidhura kanë arritur që t’i zgjidhin 7 812 lëndë.
“Gjykata e Apelit në vitin 2021, ka hyrë 10, 811 lëndë të pa zgjidhura, të trashëguara nga vitet paraprake. Gjatë kësaj periudhe raportuese, i kemi pranuar edhe 9 120, numër ky me i larti që është regjistruar ndonjëherë”.
“Në punë total i kemi pasur 19 931 lëndë. Nga to janë zgjidhur 7 812 lëndë. Në procedurë janë edhe 12 119 lëndë. Shumica e lëndëve të mbetura, apo më saktësisht 10 187 janë të natyrës civile”.
Hasani është ankuar për numrin e vogël të gjyqtarëve, duke shtuar se kanë 11 më pak se që i’u duhen.
“…është pak për fajin tonë, më saktësisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe pa aftësisë se tij, për t’i plotësuar pozitat e lira të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit. Aktualisht kemi 11 gjyqtarë më pak, sa janë të planifikuar për vitin 2021 dhe për çdo ditë vonese në emërimin e tyre, stoku i lëndëve të pazgjidhura veç vjen e rritet”.
Kurse sa i përket rasteve të korrupsionit tha se kanë pasur në punë 59 lëndë, ndërsa i kanë përfunduar 45 sosh.
“Sa i përket lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin zyrtar dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, në vitin 2020 kemi hyrë me 20 lëndë te pa zgjidhura. Gjatë këtij viti kemi pranuar edhe 39. Në total në pune kemi pasur 59 lëndë. Janë kryer 45. Vazhdojnë te mbesin në procedurë edhe 14. Shumica nga to janë lëndë qe kanë ardhur në javët e fundit”.
Fjalimi i plotë:
Të nderuar gazetarë,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civil,
Të nderuar të pranishëm,
Mirë se keni ardhur!
1. Raporti 6 mujor
Ju e dini se Gjykata e Apelit tash e 4 vjet, e ka traditë që përmes takimeve të tilla, të paktën dy herë në vit, ta informoj opinionin publik, lidhur me ecurinë e punës në këtë institucion.
Atëherë, pa humbur shumë kohë, me lejoni t’iu njoftoj me të dhënat statistikore të këtij 6 mujori të punës.
Gjykata e Apelit në vitin 2021, ka hyrë 10, 811 lëndë të pa zgjidhura, të trashëguara nga vitet paraprake. Gjatë kësaj periudhe raportuese, i kemi pranuar edhe 9,120, numër ky me i larti që është regjistruar ndonjëherë. Në punë total i kemi pasur 19, 931 lëndë. Nga to janë zgjidhur 7,812 lëndë. Në procedurë janë edhe 12, 119 lëndë.
Shumica e lëndëve të mbetura, apo më saktësisht 10, 187 janë të natyrës civile.
Fatkeqësisht , me gjithë përpjekjet tona, numri i lëndëve të pazgjidhura në divizionin civil po rritet dita ditës. Kjo po ndodhë për dy arsye. E para për shkak se këtë vit, kemi një numër jashtëzakonisht të madh, enorm do të thosha, të lëndëve që na vinë nga 7 gjykatat themelore. Në vitin e kaluar në këso kohe kishim të pranuara 2,742 lëndë civile. Ndërsa sivjet deri me tani kemi pranuar, 4,684 ose rreth 2,000 lëndë ma shume.
E dyta, është pak për fajin tonë, më saktësisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe pa aftësisë se tij, për t’i plotësuar pozitat e lira të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit. Aktualisht kemi 11 gjyqtarë më pak, sa janë të planifikuar për vitin 2021, dhe për çdo ditë vonese në emërimin e tyre, stoku i lëndëve të pazgjidhura veç vjen e rritet.
Në Departamente dhe divizione tjera, situata është më e mirë. Në Departamentin për Krime të Rënda kemi vetëm 97 lëndë në punë. Në atë Special 7. Në këto dy departamente lendet kryhen brenda javësh, gjë që është në përputhje me standardet më te mira, për gjykim në kohë të arsyeshme. Ka një tendencë të rritjes se lëndëve në Departamentin Administrativ. Vetëm gjatë këtij 6 mujori, kemi pranuar gati 500 lëndë te tilla, shifër kjo e përafërt me krejt lendet e pranuara gjatë vitit 2020. Andaj në këtë Departament, për ta menaxhuar ma mirë situatën, si kryetar i Gjykatës, e kam rrit numrin e gjyqtarëve nga 2 në 3, dhe numrin kolegjeve nga 1 në 2.
2. Lendet e Korrupsionit
Sa i përket lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin zyrtar dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, në vitin 2020 kemi hyrë me 20 lëndë te pa zgjidhura. Gjatë këtij viti kemi pranuar edhe 39. Në total në pune kemi pasur 59 lëndë. Janë kryer 45. Vazhdojnë te mbesin në procedurë edhe 14. Shumica nga to janë lëndë qe kanë ardhur në javët e fundit.
3. Përmbyllja e mandatit
Meqenëse është konferenca ime e fundit për media në cilësi të kryetarit të Gjykatës së Apelit, me lejoni që shumë shkurt, ta bëjë një përmbledhje të punëve me kryesore që janë bërë gjatë mandatit tim.
- Është rritur numri i lëndëve te zgjidhura.
Pra edhe në vitin 2020, ndonëse kanë qenë rrethanat çfarë kanë qenë, ku kemi punuar me staf te reduktuar, ku kemi pas një numër jashtëzakonisht të madh, të infektuarve me Covid 19, kemi arritur t’i zgjidhim mbi 15 mijë lëndë, duke u bërë kështu gjykata me përformancen me te mirë në Kosovë.
- Është rritur në mënyrë te konsiderueshme, por jo mjaftueshme numri i gjyqtarëve dhe stafit mbështetës.
Kjo ka ndodhurme insistimin tonë të vazhdueshëm, kërkesat tona të panumërta dhe presionin mbi organet gjegjës.
- Janë nxjerr 2 buletine të praktikes gjyqësore te Gjykatës së Apelit.
- Janë përmirësuar kushtet e punës se gjyqtarëve dhe stafit mbështetës.
- Është funksionalizuar Divizioni i Gjykatës se Apelit ne veri te Mitrovicës, i cili ndonëse ka pasur tendenca e presione, nuk kam lejuar për asnjë moment të punoj në kundërshtim me infrastrukturën ligjore të Kosovës, dhe kundër interesit të drejtësisë.
- Është funksionalizuar Departamenti Special i Gjykatës së Apelit.
- Është rritur transparenca dhe komunikimi me publikun. Jemi gjykata e vetme që krahas i publikojmë raportet individuale të punës së gjyqtarëve në ëeb-portal.
- Është rritur efikasiteti dhe përgjegjësia në punë.
- Është rritur cilësia në punë dhe cilësia e shërbimeve.
- Nuk kemi pasur ndonjë gjyqtarë me procedurë penale.
Për fund, me lejoni t’iu falënderoj edhe njëherë për bashkëpunimin qe kemi pasur këto vite. Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë. Ne si gjykatë jemi munduar që gjithmonë te jemi në dispozicionin tuaj, duke iu përgjigjur kërkesave tuaja në kohë sa më të arsyeshme, duke i dëgjuar shqetësimet tuaja dhe duke i hapur dyert për ju. Nga ana tjetër edhe ju me profesionalizimin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm, keni qenë gjithmonë në shërbim të informimit të drejtë dhe drejtësisë.
Faleminderit!