Presidentja Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti dhe zv.ambasadori amerikan Nicholas J.Giacobbe, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë me lule tek pllaka përkujtimore “Kosova kujton”, me rastin e 20-vjetorit të sulmeve terroriste në SHBA.
Para pllakës përkujtimore të 11 Shtatorit, presidentja Osmani ka theksuar se sulmet e vitit 2001, zgjuan ndërgjegjen e gjithë botës. Sipas saj, në këtë përvjetor, Kosova rikonfirmon mbështetjen e saj ndaj SHBA-ve dhe nderon kujtimin për mijëra viktima të sulmeve terroriste, në mesin e të cilëve pati edhe shqiptarë.
“SHBA-të janë aleat i yni strategjik dhe i përhershëm. Sot jemi me ta, sikurse në çdo situatë tjetër. I kujtojmë viktimat e 11 shtatorit dhe e konfirmojmë edhe njëherë se si populli me proamerikan në botë do të qëndrojnë bashkë në luftimin e terrorizmit krahas SHBA-ve, por edhe duke e ndarë dhimbjen në ditë si kjo. 11 shtatori i vitit 2001, ishte thirrja e ndërgjegjes njerëzore, mobilizim kundër një te keqe të përgjithshme dhe rikujtim se solidariteti ndërnjerëzor në raste si ky sulm është garancë për një botë më të mirë dhe kontribut në luftën jo vetëm kundër terrorizmit, por edhe për lirinë, paqen dhe demokracinë në botë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se sulmet terroriste të 20 viteve më parë në Kullat Binjake në Nju Jork ishin sulme kundër gjithë botës së lirë dhe vlerave demokratike. Për rrjedhojë, ka shtuar Konjufca, këto sulme ngjallën reagimin unik ndërkombëtar kundrejt kësaj të keqeje globale gjithnjë në rritje.
“Sulmet e 11 shtatorit 2001 tronditën qytetarët e Kosovës dhe mbarë popullin shqiptar, sepse midis dy kombeve tona është sendërtuar një lidhje e fuqishme miqësie e emocionale. Kosova vazhdon të mbetet partner besnik i SHBA-ve në të gjitha angazhimet ndërkombëtare të tyre“, ka theksuar kryekuvendari Konjufca.
Ndërkaq kryeministri Albin Kurti, tha se në këtë ditë, nderohet i gjithë kombi amerikan.
“Sot po përkujtojmë 20-vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse që na tronditën të gjithëve. Nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e 2977 viktimave të pafajshme dhe mbarë kombin amerikan” u shpreh kryeministri Kurti, ndërsa shtoi se Kosova bashkëndjen thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleat historik dhe pazëvendësueshëm i Kosovës.