Krerët e shtetit kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në shënim të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata nderuan sakrificën e familjes Jashari për liri dhe pavarësi.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se sakrifica, trimëria dhe guximi i pashoq i kësaj familje, ka bërë që kulla e Jasharëve të shndërrohet në simbol të një kalaje të lirisë “e cila edhe sot mbron pavarësinë dhe sovranitetin e vendit tonë”.
Vjosa Osmani u shpreh se nga Prekazi, brezat e ri inspirohen për rrugën përpara drejt mbrojtjen e lirisë së arritur me sakrificë dhe gjak.
“Sot, sikurse çdo vit, përkujtojmë Epopenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila i dedikohet përkujtimit tonë të përbashkët në këtë kohë lirie, për secilin dëshmor, për secilin hero, secilin martir që ka dhënë jetën për Kosovë. Por, mbi të gjitha i kushtohet sakrificës, guximit dhe trimërisë së pashoq të treguar nga familja Jashari me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në krye me legjendarin Adem Jashari. Ata luftuan shumë më gjatë sesa përgjatë viteve të luftës duke u shndërruar kështu në emblemë të UÇK -së. Dhe njëkohësisht duke i shndërruar kullat e Jasharëve në simbol të një kalaje të lirisë e cila edhe sot e mbron Kosovën, lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj. Nga këtu jo vetëm ne që e përjetuam luftën, por edhe brezat e ri edhe fëmijët tanë inspirohen për rrugën përpara për mbrojtjen e lirisë së arritur me sakrificë dhe gjak. Por, mbi të gjitha na përkujtohet secilit se sa i lartë ka qenë çmimi i paguar për lirinë tonë. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë, asnjëherë nuk të devijomë nga rruga e shtruar nga kjo sakrificë e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve”, tha Osmani.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se familja Jashari është krijuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai shtoi se “si popull i detyrohemi më së shumti për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, familjes Jashari”.
“Familja Jashari është krijuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është esenca e UÇK -së. Po ashtu e ka bërë edhe aktin më të lartë, më sublim, të sakrificës për lirinë e vendit tonë. Ata si familje e kanë pasur të mishëruar në zemrat dhe në shpirtin e tyre një të vërtetë e cila e ka shpëtuar popullin e Kosovës. E kjo e vërtetë është se liria nuk fitohet pa armë në dorë, duke luftuar me armë në dorë dhe nuk fitohet pa i dhënë dëshmorët e vetë. Kështu veproi familja Jashari dhe për këtë arsye ne si komb, si popull i detyrohemi më së shumti për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, familjes Jashari”, tha Konjufca.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dha një hov të pandalshëm kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare.
“Tre breza të Jasharëve, 59 veta gjithsej, rreth gjysma gra e fëmijë, u flijuan me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 për çlirimin e Kosovës, për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin. Epopeja e UÇK -së i dha një hov të pandalshëm kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare. Shpërthyen demonstratat gjithë popullore dhe solidariteti i parë historikisht ndërmjet shqiptarëve në Ballkan por gjithandej në mërgatë. Njëkohësisht edhe u vetëdijesua e ndërgjegjësua edhe publiku kundërkombëtar dhe diplomacia botërore. Sot, baca Shaban do të ishte 100 vjeç, e sivjet Hamza do të bëhej 75 vjeç e Ademi 70 vjeç. Ata nuk i kemi më fizikisht por ata kanë vetëm ditëlindje. E kanë 2 prillin, 19 prillin dhe 28 nëntorin. Ndërkaq, vdekja e tyre, rënia e tyre heroike është Epopeja e UÇK -së”, u shpreh Kurti.
Jasharët, zhvilluan rezistencë më 5, 6 dhe 7 mars, ku u përballën me forcat serbe, më 1998. Ai ishte sulmi i tretë ndaj tyre por që mori jetën e 55 personave – 22 prej të cilëve ishin të familjes së ngushtë të Adem Jasharit.
Pesë, gjashtë dhe shtatë marsi shënon Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – manifestim që mbledh në Prekaz qytetarë, organizata e përfaqësues të institucionev