Kremlini nuk ka nënshkruar kurrë asnjë marrëveshje me shefin e Telegramit, Pavel Durov, tha të premten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se ai nuk ishte në dijeni të ndonjë takimi mes sipërmarrësit të teknologjisë dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Gjykata franceze nisi hetimet zyrtare ndaj Durovit, i cili është me prejardhje ruse, nën dyshimet për bashkëpunim lidhur me drejtimin e një platforme online e cila mundëson transaksione të paligjshme, imazhe të abuzimit seksual të fëmijëve, trafikim me drogë dhe mashtrim.
Avokati i Durovit tha të enjten se është “absurde” të thuhet se ai duhet të mbahet përgjegjës për çdo krim të kryer në aplikacion.
“Nuk ka pasur negociata midis Durovit dhe Kremlinit”, u tha Peskov gazetarëve.
“Dhe fakti që ai ka vizituar Rusinë, ai është shtetas rus, ai lëviz lirshëm, kështu që natyrshëm ka vizituar Rusinë. Nuk kishte marrëveshje midis Kremlinit dhe Durov”, tha Peskov në përgjigje të pyetjeve të mëtejshme./UBTNews/