Kremlini këmbënguli të hënën se Rusia do të arrijë të gjitha qëllimet e “operacionit special ushtarak” në Ukrainë, pavarësisht pengesave të shkaktuara në Kharkiv gjatë fundjavës.
“Operacioni special ushtarak vazhdon dhe do të vazhdojë derisa të arrihen qëllimet fillestare”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një konferencë me gazetarët.
Presidenti rus Vladimir Putin është i vetëdijshëm për situatën në vijën e frontit, shtoi ai.
Pas suksesit të kundërofensivës së Ukrainës të shtunën, Ministria ruse e Mbrojtjes u përpoq ta paraqiste tërheqjen e saj si një rigrupim strategjik.
“Vendimi u mor për të rigrupuar trupat ruse në zonat e Balakleya dhe Izium dhe për të ridrejtuar përpjekjet e tyre në drejtimin e Donetskut”, thuhet në deklaratë.
Peskov tha se Putini është i vetëdijshëm për të ashtuquajturin ‘rigrupim’ të trupave ushtarake.
“Sigurisht, të gjitha veprimet e ushtrisë gjatë operacionit special ushtarak i raportohen komandantit të përgjithshëm suprem [Presidentit Vladimir Putin]”, u tha Peskov gazetarëve. “Presidenti është në komunikim të vazhdueshëm gjatë gjithë orarit me ministrin e Mbrojtjes dhe me të gjithë drejtuesit ushtarakë”./UBTNews/