Moska e ka parë propozimin e paqes nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, por beson se Kievi nuk dëshiron të negociojë, tha të martën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“[Ne] e kemi parë [atë]” tha Peskov kur u pyet nga gazetarët.
“Ne theksojmë gjënë kryesore këtu – se pozicioni de facto dhe de jure i palës ukrainase tregon se Ukraina nuk mund dhe nuk dëshiron të negociojë”, shtoi ai.
Peskov përsëriti se Rusia do të vazhdojë të arrijë qëllimet e saj duke kryer atë që ajo e quan “operacioni i saj special ushtarak”.
Plani i paqes i Zelenskit, të cilin ai e prezantoi në samitin e G20 të martën, ka 10 elemente, përfshirë një rrugë drejt sigurisë bërthamore, sigurinë ushqimore, një gjykatë speciale për krimet e luftës ruse dhe një traktat përfundimtar të paqes me Rusinë, sipas transkriptit të fjalimit./UBTNews/