UBT News

Kremlini refuzon ofertën e Zelenskyt për armëpushim 30-ditor

Kremlini refuzoi thirrjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për një armëpushim 30-ditor, pasi udhëheqësi i Ukrainës kritikoi propozimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për një ndalesë treditore të luftës në Ukrainë që përkonte me festimet vjetore të Ditës së Fitores në Moskë.

Armëpushimi i propozuar nga Rusia do të ndodhte nga 8 deri më 10 maj, kur Rusia shënon 80-vjetorin e fitores kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Zelensky vuri në dyshim nevojën për të pritur deri atëherë për një armëpushim, duke thënë se kjo ishte një lëvizje “vetëm për t’i siguruar Putinit heshtje për paradën e tij”.

Ne vlerësojmë jetët njerëzore, jo paradat”, tha Zelensky në adresimin e tij të përnatshëm, duke propozuar një armëpushim “të menjëhershëm, të plotë dhe të pakushtëzuar” për 30 ditë.

Një propozim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një armëpushim të pakushtëzuar, me të cilin Ukraina ishte pajtuar, gjithashtu mbetet opsion, përsëriti Zelensky.

Rusia e di saktësisht se çfarë duhet të bëjë dhe si të përgjigjet: të ndalojë sinqerisht sulmet”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës tha më herët se njoftimi i Kremlinit më 28 prill ishte i pasinqertë dhe se armëpushimi duhej të fillonte menjëherë.

Përgjigja e Rusisë më 29 prill, megjithatë, ishte refuzimi i armëpushimit më të gjatë “të menjëhershëm”, me zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, që tha se disa çështje duhej të zgjidheshin më parë.

Pa përgjigje për këto pyetje, është e vështirë të hyhet në një armëpushim afatgjatë”, tha ai.

Putin ka deklaruar më parë, gjatë negociatave mbi propozimin amerikan, se plani duhet të përmbante klauzola që ia ndalojnë Ukrainës ta përdorë pauzën për t’u riorganizuar dhe për t’u armatosur, si dhe ndalimin e furnizimeve me armë nga Perëndimi për Kievin. Ai nuk ofroi asnjë kompromis nga ana e Rusisë në këmbim.

Kjo është hera e dytë këtë muaj që Kremlini bën thirrje për ndalim të luftimeve. Një propozim për pushimet e Pashkëve në fillim të këtij muaji u injorua gjerësisht, ndërsa Rusia dhe Ukraina vazhduan ta godasin njëra-tjetrën.

Ashtu si çdo vit gjatë presidencës së tij, Putin do të drejtojë një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq më 9 maj, për Ditën e Fitores, duke festuar rolin sovjetik në mposhtjen e Gjermanisë. Në vitet e fundit, ai ka shfrytëzuar këtë rast për të lavdëruar historinë sovjetike dhe ruse, ndërsa kritikon Perëndimin.

Festa ndodh ndërsa pushtimi rus i Ukrainës – tashmë lufta më e madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – po vazhdon pa ndërprerje në vitin e saj të katërt. Humbjet e Rusisë, në të vrarë ose të plagosur, tani besohet të jenë më të mëdha se të gjitha humbjet që ka pësuar në të gjitha konfliktet që ka luftuar që nga viti 1945.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se njësitë e saj të mbrojtjes ajrore shkatërruan 51 dronë ukrainas brenda më pak se tre orësh në mbrëmjen e 28 prillit. Një deklaratë e ministrisë e postuar në Telegram tha se njësitë e saj kishin shkatërruar 40 dronë mbi rajonin perëndimor të Kurskut. Dronë të tjerë u shkatërruan mbi rajonin qendror Oryol dhe Belgorod në jug, si dhe mbi Gadishullin e Krimesë dhe Detin e Zi.

Përpjekjet për të arritur një armëpushim dypalësh ose një marrëveshje më të gjerë paqeje u përshpejtuan pasi presidenti amerikan, Donald Trump, mori detyrën në janar, duke premtuar se do ta përfundonte luftën brenda 24 orëve.

Exit mobile version