Kremlini mohoi sot pretendimet e të dërguarit të posaçëm të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Ukrainën – se Rusia po zvarrit bisedimet e paqes, duke shtuar se Moska kishte përmbushur të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në negociata.
I dërguari i lartë i Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, tha dje se Rusia nuk mund të vazhdonte të zvarriste negociatat ndërsa bombardonte objektivat civile në Ukrainë.
I pyetur në lidhje me këto deklarata, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Rusia ishte mirënjohëse ndaj ekipit të Trump për ndihmën në lehtësimin e bisedimeve, ndërsa shtoi se Moska nuk po i zvarriste bisedimet.
“Ne jemi në favor të qëllimeve që po përpiqemi të arrijmë përmes operacionit të posaçëm ushtarak me mjete politike dhe diplomatike”, tha Peskov.
Peskov vuri në dukje se palët duhet ende të bien dakord për datat e raundit të tretë të bisedimeve. /atsh