Zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Peskov tha se Konventat e Gjenevës për mbrojtjen e të burgosurve të luftës nuk do të zbatohen për dy amerikanët e kapur në Ukrainë, duke i akuzuar ata si “të përfshirë në aktivitete të paligjshme”.
Peskov i bëri komentet gjatë një interviste ekskluzive me NBC News të hënën mbrëma.
Kush janë dy amerikanët? Shtetasit amerikanë, Alexander John-Robert Drueke dhe Andy Tai Ngoc Huynh, u arrestuan nga separatistët e mbështetur nga Rusia në Donetsk pasi u kapën javën e kaluar, sipas mediave shtetërore ruse. Ata u zhdukën më 9 qershor gjatë një beteje në veri të Kharkiv.
Peskov i quajti Drueke dhe Huynh “ushtarë të fatit”.
“Ata ishin të përfshirë në gjuajtjen dhe granatimin e personelit tonë ushtarak. Ata po rrezikonin jetën e tyre, dhe ata duhet të jenë përgjegjës. Ata duhet të mbahen përgjegjës për ato krime që kanë kryer. Ato krime duhet të hetohen”, tha ai.
Peskov nuk do të sqaronte nëse dyshja mbaheshin nga autoritetet ruse apo ato në Donetsk.
Peskov tha se rasti i tyre do të “hetohej në kohën e duhur”, por tha se “Konventat e Gjenevës nuk mund të zbatohen për ushtarët e fatit”.
“Ata nuk janë në ushtrinë ukrainase. Ata nuk i nënshtrohen Konventës së Gjenevës”, tha ai.
Sipas Konventës së Gjenevës, të burgosurit e luftës “duhet të trajtohen në çdo kohë në mënyrë njerëzore”./UBTNews/