Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka bërë të ditur se i dërguari presidencial i SHBA-së, Steve Witkoff, ka mbërritur në Rusi për bisedime.
Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Peskov nuk e konfirmoi ose mohoi atë nëse Witkoff do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, por u zotua se do të njoftojë publikun nëse një takim i tillë ndodh.
“Po, e konfirmoj, ai vërtet ka mbërritur“, tha Peskov.
Më herët, mediat amerikane raportuan për vizitën e Witkoff-it në Rusi, duke sugjeruar se është planifikuar që ai të ketë një takim të tretë ballë për ballë me presidentin Putin.
Shërbimi i gjurmimit të fluturimeve ‘FlightRadar24’ tregoi aeroplanin e Witkoff-it duke u ulur në Shën Petersburg mëngjesin e sotëm.
Ardhja e të dërguarit amerikan në Rusi vjen një ditë pas përfundimit të raundit të dytë të bisedimeve ruso-amerikane për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike në Istanbul.