Ish-kryeministri britanik, Boris Johnson deklaroi në një dokumentar të BBC-së se presidenti rus, Vladimir Putin, “disi e kërcënoi atë” para pushtimit të Ukrainës duke i thënë se: “Raketës i duhet një minutë”.
Megjithatë, Kremlini u ka thënë gazetarëve se deklaratat e Johnsonit janë të pavërteta.
“Ajo që tha Johnson ishte një gënjeshtër. Ose ishte një gënjeshtër e qëllimshme, por pastaj për çfarë qëllimi? Ose ishte një gënjeshtër e paqëllimshme, meqë me gjasë ai nuk e kuptoi atë që i tha presidenti Putin”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se nuk ishte “kërcënim raketor”.
Episodi i parë i dokumentarit tripjesësh të Boris Johnsonit do të transmetohet të hënën mbrëma në BBC Two. Ish-kreu i qeverisë britanike rrëfen bisedën e tij “shumë të gjatë” dhe “të jashtëzakonshme” me presidentin rus pas vizitës së tij në Kiev në fillim të shkurtit të kaluar./UBTNews/