UBT News

Krejt çka dihet deri më tani për zjarrin në Spitalin e Tetovës!

Së paku 14 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që shpërtheu në Qendrën Modulare në Spitalin e Tetovës, ku po trajtoheshin të sëmurit me COVID-19.

Nga Prokuroria thonë se për momentin janë konfirmuar 14 viktima, ndërsa në mesin e tyre nuk ka nga stafi mjekësor.

“Në bashkëpunim me pjesëtarët e Ministrisë për Punë të Brendshme, inspektimi filloi menjëherë. Prokurorët kanë lëshuar urdhra autopsie dhe kanë identifikuar trupat e 14 personave të vdekur në zjarr, dhe po shqyrtojnë nëse ka të vdekur të tjerë”.

“Disa nga të vdekurit do të kenë nevojë për analiza të ADN-së për të përcaktuar identitetin e tyre. Sipas informacioneve fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e të vdekurve. Deri në orët e para të mëngjesit, prokurorët morën në pyetje stafin në spitalin modular për të përcaktuar shkakun e zjarrit”.

“Në të njëjtën kohë, u dha urdhër për të siguruar pamje të video-mbikëqyrjes brenda dhe përreth objektit. Inspektimi do të vazhdojë edhe sot, dhe prokurorët publik, së bashku me ekspertët e MPB-së, do të japin provat për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Më shumë se 30 zjarrfikës të cilët kanë intervenuar me 7 makina për thuajse gjysmë ore kanë arritur që të shuajnë zjarrin.

Për spitalin në të cilin shpërtheu zjarri, në mesin e muajit prill ishte raportuar se janë konfirmuar gabime gjatë ndërtimit të tij.

“Vërejtjet kanë të bëjnë me dyshemenë dhe disa gabime tjera të vogla infrastrukturore. Është dhënë afat prej 5 ditëve që të sanohen gabimet të ndodhura gjatë ndërtimit të spitalit modular. Rrymë dhe ujë ka. Për sistemin e oksigjenit jemi në kontakt me firmën nga ku na thanë se për 2-3 ditë mund të vendoset. Sistemi ka ardhur deri tek infektivja dhe mund të lidhet. Në rast se nuk dalin probleme të tjera, javën tjetër shpresojmë se do të vihet në përdorim”, deklaroi asokohe drejtori Ekonomik i Klinikës së Tetovës, Artan Etemi.

Mbrëmë kryeministri Zoran Zaev e konfirmoi se sot do të mbahet mbledhje urgjente e qeverisë në orën 10, ku do të diskutohet për zjarrin në Covid-qendrën në Tetovë./alsat.mk/UBTNews

Exit mobile version