Një rast i paprecedent ka ndodhur në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Vazhdimisht është kritikuar fakti që pse në Gjykatë nuk ka ndonjë flamur të Kosovës, ndonjë simbol të shtetit që e ka themeluar këtë institucion.
Megjithatë, përgjigja më direkte që ka mundur të jepet në këtë rast, është një zhvillim që ndodhi ditën e djeshme.
Një kravatë kuq e zi e me shqiponjë të cilën e veshte Jakup Krasniqi në disa seanca, dje nuk iu lejua. Pra, Dhomat e Specializuara të Hagës që u krijuan për t’u marrë me “trafikimin e organeve” nga UÇK-ja, kanë mbetur duke hequr kravata të të akuzuarve.
Lajmin e bëri të ditur qysh në fillimin e seanës së djeshme avokatja e Jakup Krasniqit. “Dua një përgjigje sepse atë kollare Krasniqi e ka veshur edhe herave të tjera”, tha ajo.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, deklaroi se do të interesohet për këtë çështje. Megjithatë, asnjë përgjigje nuk u dha në seancë publike.
Duket se kravata e Krasniqit ka trazuar komplet punën e djeshme në Hagë.
Kjo pasi pas pauzës së drekës, seanca nuk vazhdoi siç ndodh rëndom.
“Ju njoftojmë se është shtyrë fillimi i seancës së pasdites së sotme në gjykimin Thaçi dhe të tjerët. Do t’ju informojmë për çdo përditësim sa më shpejt që të jetë e mundshme”, u tha në njoftim.
Seanca u bë e ditur se do të vazhdonte nga ora 16:30. Megjithatë, ishte krejtësisht e mbyllur, dhe zgjati shkurt. Pra, as nuk vazhdoi dëshmia e Bislim Zyrapit.
“Ju njoftojmë se seanca në gjykimin Thaçi dhe të tjerët këtë pasdite do të fillojë në orën 16:30 (ose në orën 17:15 transmetimi në internet). Ju njoftojmë se gjykimi kaloi në seancë private pas fillimit këtë pasdite dhe pak më vonë u mbyll për ditën e sotme. Procesi do të vazhdojë nesër, më 9 korrik në orën 09:00”, bëri të ditur Specialja.
Nacionalja që nga dita e djeshme është duke pritur përgjigje nga Dhomat e Specializuara lidhur me kravatën e Jakup Krasniqit.
Një reagim emocionues e ka bërë vajza e Krasniqit, Gresa.
“Mic Sokoli me gjoksin e tij kishte pritur gjylen e topit sepse dëshira per çlirim dhe liri ishte më e madhe se jeta prej zvarraniku. Mic Sokolët sot, me gjoksin e tyre presin padrejtësitë e këtij shekulli ndonese mbi supet e tyre rëndojnë plagët e pa sheruara të një populli të shtypur e te vuajtur! Mic Sokoleve sot, nga gjoksi mund t’ia zhveshni shqiponjën, por kurrë nga zemra!”, ka shkruar ajo.
Reagime të mëdha ka pasur që nga dita e djeshme lidhur me këtë situatë.