Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, sot në 4-vjetorin e themelimit të ushtrisë së Kosovës, u shpreh se ajo është e gatshme për çdo mision ushtarak. Ai i uroi të gjithë me rastin e ditës së themelimit të Ushtrisë.
“Prej sot gatitu”, është fraza kumbuese që jehoi katër vite më parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për të shënuar themelimin e Ushtrisë së Kosovës, si një nga proceset më të rëndësishme të determinimit të shtetësisë dhe sovranitetit të vendit tonë. Krenar që më 14 dhjetor të vitit 2018, si deputetë të Kuvendit të Kosovës, votuam masivisht tri ligjet përkatëse duke i dhënë FSK-së mandatin dhe kompetencat që ajo dhe tërë Kosova i meritojnë. Ushtria e Kosovës, e cila ka përvetësuar standardet e NATO-s, si dhe zotëron e dëshmon nivel të lartë të përgatitjes profesionale, sot është e gatshme për çdo mision ushtarak, duke e bërë krenar secilin prej nesh”, shkroi ai në Facebook.
Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, më 14 dhjetor 2018 ka miratuar tri ligjet që e kanë ndryshuar mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri. Ligjet që janë miratuan kanë qenë Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amendamentet e ligjeve janë votuar një nga një.
Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk kanë marrë pjesë në seancë. Ata e kanë kundërshtuar formimin e Ushtrisë së Kosovës.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e kanë cilësuar si “një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.