Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Kransiqi ka reaguar pas vendimit të Qeverisë në detyrë për të ndarë nga 100 euro për çdo student, pesë ditë para ditës së zgjedhjeve lokale.
“Kryeministri në largim, i cili tashmë ka humbur çdo legjitimitet, duket se po e përjeton panikun nga humbja e madhe që e pret të dielën”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Ai tha se vendimi për të ndarë 26 milionë euro për studentët “nuk është mbështetje e sinqertë “por përpjekje e hapur për blerje vote”.
“Pas katër vitesh dështimesh në qeverisje dhe degradimi të sistemit arsimor, ai sot vendosi të ndajë 26 milionë euro, nga 100 euro për student, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve. Kjo nuk është mbështetje e sinqertë për studentët, por përpjekje e hapur për blerje vote. Megjithatë, ky është një tjetër gjykim i gabuar për studentët kosovarë, sepse ata as nuk blihen e as nuk shiten”, tha Krasniqi.
Krasniqi i ftoi studentët që t’i marrin ato mjete “që janë nga taksat e familjeve të tyre, por të dielën ta përdorin votën e tyre për ta ndëshkuar një kryeministër që ka rrezikuar të ardhmen e tyre dhe të shtetit”./D.B/KP