Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se rreshteri Afrim Bunjaku është simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së palëkundur ndaj atdheut.
Ai ka shkruar në Facebook të martën se Serbia duhet t’i dorëzojë kriminelët serbë “që kanë gjetur strehim atje, për të dhënë llogari para drejtësisë sonë”.
Kreu i partisë opozitare ka shtuar se guximi vetëmohues i Afrimit Bunjakut ka gdhendur “përgjithmonë emrin e tij në zemrat e popullit të Kosovës”.
“Afrimi, më shumë se zyrtar i Policisë së Kosovës, ishte një simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së palëkundur ndaj atdheut. Përballë rrezikut kundër terroristëve në Banjskë, ai qëndroi i vendosur për të mbrojtur tokën për të cilën kanë rënë mijëra dëshmorë ndër breza. Në njëvjetorin e këtij sulmi terrorist mbi shtetin e Kosovës, tashmë edhe pas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, Serbia duhet të detyrohet që t’i dorëzojë kriminelët serbë që kanë gjetur strehim atje, për të dhënë llogari para drejtësisë sonë. Sot, krahas nderimit për Afrimin, shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë më të thellë për familjen Bunjaku, dhembjen e së cilës e ndanë secili qytetar atdhedashës i shtetit tonë”, ka thënë Krasniqi.