Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka akuzuar Qeverinë Kurti lidhur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15 për qind, dhe ka thënë se ky veprim është goditje e radhës për të gjitha familjet kosovare.
Deputeti Krasniqi nëpërmjet një shkrimi në Facebook, është shprehur kjo qeveri që simbol të saj e ka sekserin e tregtisë me energji, Martin Berishaj, po e keqpërdorë në thelb misionin e saj.
“Vitin e kaluar e rritën mbi 100% çmimin e energjisë elektrike. Megjithatë, kësaj qeverie, që simbol të saj e ka sekserin e tregtisë me energji, Martin Berishajn, nuk u mjaftoi kjo. Dje, çmimin e energjisë elektrike për të gjithë qytetarët tanë e rritën edhe për rreth 15%. Ky veprim është goditje e radhës për të gjitha familjet kosovare, të cilat, në këtë periudhë të krizës dhe ngritjes së të gjitha çmimeve të tjera, po varfërohen çdo ditë e më shumë. Në këto dy vjet, përmes të gjitha veprimeve të saj, kjo Qeveri vetëm sa e ka rritur koston e jetesës për qytetarët e Kosovës, duke keqkuptuar dhe keqpërdorur në thelb misionin e saj”, shkruan ai.
Kryetari i PDK-së, konsideron se me këtë lloj qeverisjeje, numri i qytetarëve të cilët do të emigrojnë do të vazhdojë të thyej rekorde të reja.
“Një gjë është e sigurt: me këtë lloj qeverisjeje, e cila po vështirëson dhe rëndon jetën e qytetarëve në çdo aspekt, numri i atyre të cilët do të emigrojnë do të vazhdojë të thyej rekorde të reja. I indinjuar thellësisht me këtë kaos qeverisës, i cili po e kërcënon në vazhdimësi mirëqenien e qytetarëve dhe stabilitetin e shtetit tonë. Mjaft më!”, shkruan Krasniqi.