Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është shprehur sot se Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën shpërfaq dështimin e qeverisë.
Sipas Krasniqit, qeveria e Kurti në dy vjetët e fundit ka prodhuar vetëm skandale “që kanë prekur të gjithë sektorët: qeverisjen, ekonominë, shëndetësinë, arsimin, diplomacinë e sigurinë”.
Kreu i PDK-së ka kritikuar qeverinë që po e mban në detyrë ambasadorin Martin Berishaj.
“Raporti fakton korrupsionin serioz qeveritar dhe mosndëshkimin e rasteve të tilla, mungesën e hetimit dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje apo dhunën seksuale, dhe ngre shqetësimin se si zyrtarë të korruptuar vazhdojnë të mbajnë pozicione të larta në sektorin publik. Kjo është historia e vërtetë e kësaj Qeverie, e cila, në dy vitet e fundit ka prodhuar vetëm skandale që kanë prekur të gjithë sektorët: qeverisjen, ekonominë, shëndetësinë, arsimin, diplomacinë e sigurinë. Padyshim, si emërues i përbashkët i cili vulosë të gjitha këto gjetje që karakterizojnë Qeverinë Kurti, mbetet ambasadori Martin Berishaj, i cili, përkundër raportimeve, fakteve dhe akuzave, vazhdon të mbetet në detyrë pa dhënë asnjëherë llogari për miliona euro të shpërdoruara e të dyshimta. Me Kurtin në qeverisje dhe Martinin si simbol të saj – raportet për Kosovën do të vazhdojnë të përkeqësohen vazhdimisht!”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe, korrupsioni serioz qeveritar dhe mungesa e hetimeve dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore, janë përmendur si disa prej probleme më serioze në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejta të Njeriut, në pjesën për Kosovën.