Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi deklaroi se Qeveria Kurti abuzimet më të mëdha i ka bërë në sektorin e energjisë.
Lideri opozitar, në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për zhvillimet e fundit në KEK tha se këto abuzime janë bërë përmes skemave korruptive dhe keqpërdorimit të pushtetit absolut të instaluar në këtë sektor.
“Qeveria Kurti abuzimet më të mëdha i ka bërë në sektorin e energjisë, përmes skemave korruptive dhe keqpërdorimit të pushtetit absolut që ka instaluar në këtë sektor. E dyta, qytetarët e Kosovës sot e kanë jetën më të vështirë dhe jetojnë më keq si pasojë e këtyre abuzimeve. Me këto para që janë abuzuar në KEK dhe tërë sektorin e energjisë ka pasur mundësi të bëhen përmirësime të jashtëzakonshme në shumë sektor”, tha ai.
Kryetarit të PDK-së i reagoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se është tragjikomike të dëgjohet PDK-së kur flet për keqpërdorime dhe brengosjen për qytetarët.
“Është tragjikomike me dëgju PDK-në se si brengoset për pacientët, nxënësit, përfituesit e ndihmës sociale dhe për qytetarët. Mos t’iu kishim njohur dhe mos të kishim ditur sa keni bërë ju, edhe ju kishim besu ndoshta. Për rrymën në veri pse nuk e ndalët ju dhe pse paguat atë 20 vjet”, theksoi ajo.