UBT News

Krasniqi publikoi vendimet e MAPL-së për Ekipin menaxhues për themelimin e Asociacionit

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka publikuar sot tri vendime për “Ekipin Menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” të qeverive të kaluara.

Krasniqi ka bërë të ditur se kanë marrë shumë pyetje dhe kërkesa për qasje në dokumente publike për vendimet në fjalë.

“Më lejoni që të ju njoftoj se për këtë ekip, janë gjithsej tre vendime të Ministrisë së Pushtetit Lokal të tre qeverive të ndryshme, që janë bazuar në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Vendimi i parë ishte marrë në qershor të vitit 2013, gjatë Qeverisë Thaçi. Vendimi i dytë ishte marrë në qershor të vitit 2016, gjatë Qeverisë Mustafa. Vendimi i tretë ishte marrë në shtator të vitit 2020, gjatë Qeverisë Hoti”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Sipas tij, nga përbërja fillestare vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar; Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq.

“Dy tjerë janë ndryshuar vazhdimisht. Danijela Vujiçiq është anëtarja më e re e këtij ekipi, sipas vendimit të vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues. Pika e gjashtë e vendimi të vitit 2020 parasheh që Ekipi Menaxhues koordinohet dhe i raporton për aktivitetet e tij ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal”, ka shkruar ai.

Ministri Krasniqi ka njoftuar se të martën (18 prill) i është drejtuar me ftesë për takim ekipit në fjalë, por nuk ka marrë përgjigje.

Exit mobile version