Albert Krasniqi nga “Demokraci Plus” ka deklaruar se presidentja e vendit, Vjosa Osmani me vendimin për shkarkimin e Valdete Dakës nga kryesuesja e KQZ-së ka marrë rolin e katër institucioneve tjera.
Në një shkrim në Facebook, Krasniqi ka thënë se kompetencat e presidentit të Kosovës janë të shumëta, por, jo aq sa mendon presidentja Vjosa Osmani-Sadriu.
Ai tutje tha se Osmani ka marrë rolin e Gjykatës Kushtetuese në këtë vendim, pasi që ka interpretuar vet kriteret për certifikim të kandidatëve për deputetë.
“ Kuvendit, duke vlerësuar punën e KQZ-së; Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke konstatuar shkelje në verifikimin e votuesve jashtë vendit; Agjencisë për Informim dhe Privatësi, duke konstatuar shkeljen e të dhënave personale”, ka thënë ai.
Krasniqi tha se kjo ndërhyrje e pashembullt nuk lejohet të ndodhë.
“Kjo ndërhyrje e pashembullt nuk duhet të lejohet. Përndryshe është fitore për lajmet e rrejshme të shpërndara gjatë zgjedhjeve për KQZ-në, për bullizmin politik të Sami Kurteshit e për ndërhyrjet arbitrare të Presidentes në punën e institucioneve të pavarura. Avokati i Popullit ose 30 deputetë, duhet patjetër të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Presidentes për shkarkimin e Kryesueses së KQZ-së”, tha ai.