Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj Qeverisë në detyrë për miratimin e projektbuxhetit 2026, rritjen e pensioneve dhe shtesave për fëmijë.
Krasniqi e ka quajtur këtë “tentativë për mashtrim elektoral”, në prag të balotazhit dhe zgjedhjeve parlamentare.
“Thesi i mashtrimeve të një ‘babadimri’ që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës, sado që premtoi çdo vit për pesë vjet, s’mundet me e rikthy besimin e humbur e as nuk mund të arrijë qëllimin e blerjes së votës për balotazh e për zgjedhje parlamentare,” ka deklaruar Krasniqi.
Ai shtoi se “krejt ato që sot u thanë në mbledhjen e fundit të kësaj qeverie, e që s’u bënë pesë vjet me radhë, do të bëhen: më mirë, më shumë e më shpejt, por me qeverinë e ardhshme, pa Albin Kurtin e pa Vetëvendosjen”.
Krasniqi në fund ka dhënë mesazhin se “mashtrimi elektoral nuk kalon” dhe se “uji i turbullt s’pihet dy herë”.
Buxheti për vitin 2025 ishte 3.6 miliardë euro, derisa paga minimale ishte 350 euro bruto, shtesat për fëmijë ishin 20 euro, pensioni bazik 120 euro./KP
