Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi deklaroi se po vazhdojnë koordinimet me partnerët ndërkombëtarë për Urën e Ibrit në Mitrovicë. Ai theksoi se nuk ka asnjë arsye që ura të mbetet e mbyllur, për çka shtoi se edhe në raportet e BE-së deri në vitin 2023 është thënë se duhet të hapet për qarkullim.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se është absurde vazhdimi i mbajtjes mbyllur të Urës së Ibrit.
“Nga viti 2018 e deri në vitin 2023, në raportet e BE-së thuhet se ura është gati e duhet të hapet për qarkullim të plotë, të pa vonesë dhe pa pengesa. Duke qenë sponsporizuese e marrëveshjes dhe planit të zbatimit për hapjen e urës, BE-ja duhet të tregojë se çfarë ka ndryshuar që nga viti 2023. Është shumë me rëndësi të kuptohet që dialogu jonë me qytetarët serbë për urën dhe për sigurinë e përgjithshme në veri të vendit nuk ka të bëjë vetëm këto ditë që tashmë kanë një fokus më të veçantë. Ne vazhdimisht jemi në diskutime me qytetarët, me përfaqësuesit e shoqërisë civile, partive politike…Nuk ka asnjë arsye se pse ura duhet të jetë e mbyllur dhe më së paku kur i referohen sigurisë”, deklaroi ai.
Ministri Krasniqi nuk ka dhënë datë se kur do të veprohet për hapjen e urës.
Sa i përket deklarimit të djeshëm të ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier se ushtarët amerikanë janë të rrezikuar në rast të hapjes së urës, Krasniqi tha se Qeveria e Kosovës e merr seriozisht mirëqenien e tyre.
“Ne e marrim shumë seriozisht mirëqenien e ushtarëve amerikanë. Ata janë ushtarët më të dashur të KFOR-it, të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne po i vazhdojmë koordinimet dhe konsultimet tona me partnerët, përfshirë KFOR-in me qëllim që gjithçka të shkojë mirë e të mos ketë asnjë incident e lëre më, më shumë. Unë vetëm dua të përsëris atë që tha kryeministri Kurti sot në takimin e qeverisë se ne besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit janë mbi të gjitha edhe do të ketë koordinim për secilin veprim të ndërmarrë”, shtoi Krasniqi./UBTNews/