UBT News

Krasniqi: Nuk na bëjnë mirë institucionet njëetnike

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, thotë se Kosovës nuk i duhen institucione njëetnike sepse një gjë e tillë nuk është në frymën kushtetuese të shtetit. Ai thotë se asociacionet e komunave mund të formohen vetëm bazuar në ligjet e Kosovës.

“Kosova është një shtet multietnik ku është ndërtuar mbi këto parime të një demokracie gjithëpërfshirëse. Edhe nuk na bëjnë mirë si komunitete, nëse do të kemi institucione ose organe të tjera njëetnike për shkak se nuk është në frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, Ligji për Vetëqeverisje Lokale përcakton qartë dhe mirë edhe përgjegjësinë në nivelin dhe të drejtën e komunave që të bashkohen në formë të asociacionit. Gjithçka në suazë të këtij bazamenti ligjor”, thotë Krasniqi.

Ai gjithashtu përgjigjet rreth situatës së krijuar nga vërshimet e muajit janar në disa komuna të Kosovës.

Krasniqi bën të ditur se ende nuk është finalizuar procesi analizave nga komunat përkatëse.

“Pas tejkalimit të situatës me vërshime kanë bërë disa komisione komunale. Ne si ministri kemi një anëtar në ato komisione edhe i kanë dërguar raportet për vlerësim, tash është në përpunim e sipër gjithë procesi i analizave të komunave të Kosovës. Kemi disa probleme edhe me komunën e Mitrovicës së Veriut, ku nuk ka kryetar komune dhe tani më është caktuar seanca e kuvendit komunal ku do të votohet edhe raporti i komisionit komunal dhe kjo pastaj e ndihmon procesit që të procesohen të gjitha kërkesat për një herë”, thotë ai.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nuk tregon vlerën e dëmit që vërshimet kanë shkaktuar në disa prej komunave.

“Nuk mund të flas me kompetencë për shifra për nivelin e dëmeve. Mirëpo, komisionet komunale ku edhe ministria jonë është pjesë e këtyre komisioneve, kanë bërë vlerësimin e tyre dhe mandej dërgohet te AME, dhe AME e bën një përmbledhje të gjithë kësaj situate dhe caktohen edhe mbështetjen qeveritare edhe vlerësimi i dëmeve”, shton ai.

Themelimi i Asociacionit është paraqitur si parakusht nga Serbia, për përparimin e dialogut të Brukselit.

Ndërsa qëndrimi i Kosovës është se një asociacion me kompetenca ekzekutive është i dëmshëm për shtetin.

Edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për formimin e këtij asociacioni duhet të harmonizohen me ligjet e Kosovës.

Exit mobile version