UBT News

Krasniqi: Nga 22 dhjetori ka filluar rrjedhja e afatit të peticioneve për shkarkimin e kryetarëve në veri

Ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se që nga data 22 dhjetor ka filluar rrjedhja e afatit të peticioneve për shkarkimin e kryetarëve në tri prej komunave në veri të vendit.

“Tashmë kemi katër grupe të qytetarëve në veri të vendit të cilët janë autorizuar për të mbledhur nënshkrimet. Nga informacionet që kemi nga kryesuesit e kuvendeve, të komunës të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, me datën 22 dhjetor janë takuar me qytetarë të cilët kanë iniciuar këtë Proces dhe janë autorizuar si palët dhe nga data 22 fillon rrjedhja e afatit. Ndërsa për komunën e Zveçanit kemi një situatë tjetër, pasi kryesuesja e Kuvendit s’e ka procesuar tek KQZ-ja kërkesën e qytetarëve, por siç është paraparë me udhëzim administrative. Qytetarët pastaj u janë drejtuar MAPL-së dhe KQZ-së dhe kanë pranuar numrin e trupës votuesve në Zveçan dhe 20% e duhur për të mbledhur nënshkrimet dhe për të procesuar me pjesën tjetër të udhëzimit administrativ”, tha Krasniqi.

I pyetur nga gazetarët për takimin e zhvilluar dje nga kjo ministri me diplomatë të QUINT-it dhe ata të BE-së, Krasniqi tha se i kanë njoftuar për procesin dhe zhvillimet që janë duke ndodhur. I njëjti ka ritheksuar se masat e vendosura nga BE vazhdojnë të jenë të padrejta.

“Udhëzimi administrativ parasheh secilën situatë, edhe kur kryesuesi i kuvendit nuk e përmbush obligimin e tij dhe pastaj janë institucionet e tjera të cilat sigurojnë që dokumentacioni të cilin tashmë është publik është në dispozicion. Mund të garantoj se të gjithë grupet kanë këtë dokumentacion dhe autorizimet e nevojshme që të fillojnë në implementimin e të drejtës së tyre. Kosova vazhdimisht ka qenë palë konstruktive, dhe vet udhëzimi administrativ ka qenë argumenti kryesor që tregon se ne jemi palë konstruktive. Masat vazhdojnë të jenë të padrejta sikurse sot edhe atë ditë që janë vendos ndaj Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndërkaq i pyetur sa i përket akuzave të opozitës se vendimi i Serbisë për njohën e targave në Kosovë vjen pas një gatishmërie të Qeverisë për themelimin e Asociacionit, Krasniqi ka thënë se kritikat e opozitës janë të pabaza.

Exit mobile version