Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka bërë sot homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, në ditën kur shënohet 25-vjetori i masakrës.
“Sot, bashkë me kolegë dhe bashkëpunëtorë nga PDK, bëmë homazhe tek Kompleksi Përkujtimor në Reçak, për të kujtuar 45 viktimat e kësaj masakre, e cila, edhe 25 vjet më pas, mbetet dhembja jonë e madhe. Një krim mizor dhe me paramendim kundër njerëzimit – i cili vulosi qëllimin politik të Serbisë dhe agjendën e saj për të kryer gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Ai shtoi se “Gjithmonë, e posaçërisht sot, vlerësojmë lartë kontributin e Ambasadorit William Walker, i cili, çerek shekulli më parë, nga vendi i ngjarjes në Reçak, krimin e quajti me emrin e të tij të vërtetë”.
“Kosova nuk do të hesht asnjëherë për krimet ndaj popullatës civile shqiptare, gjatë luftës së viteve 1998/99, derisa drejtësia të vihet në vend për secilën viktimë të vendit tonë. Lavdi martirëve të Reçakut!!”, shkroi Krasniqi.