Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka marrë pjesë në përurimin e Qendrës Kombëtare të Xhudos në Pejë.
Në një postim në Facebook, Krasniqi është shprehur se ndjehet krenar që iniciativa e tij e mëhershme si ministës i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot është materializuar për të shërbyer si adresë e ngritjes së sportit të xhudos.
“Eshtë materializuar, për të shërbyer si adresë e ngritjes së sportit të xhudos për të rinjtë e Pejës dhe mbarë Kosovës, duke ndjekur shembullin e të Artave tona, Majlindës, Distrias dhe Norës. Ky sport ndërkombëtar që vajzat tona dhe mjeshtri Driton Kuka na e kanë bërë pjesë të historisë sonë si komb, tani e tutje do të zhvillohet në parametra të rinj e të organizuar”, shkruan ai.
Krasniqi thotë se besimi në rini, i ka shpërblyer të gjithë pa dallim.
“Prandaj duhet të punojmë e investojmë edhe më tej, për t’iu hapur atyre dritare të reja e perspektivë, që duke vënë në jetë talentin dhe shkathtësitë e tyre, jo vetëm të vazhdojnë të na bëjnë neve krenarë, por ta bëjnë Kosovën shtet të kampionëve, në lartësitë më të mëdha të sportit ndërkombëtar”, thotë ai.