Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi deklaroi se mundësia e dërgimit të vendit në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit është ezauruar.
Kreu i PDK-së, Krasniqi në një konferencë për media theksi se thirrja e PDK-së për koordinim mes partive më të mëdha politike parlamentare për të shkuar vendi në zgjedhje të parakohshme nuk e ka gjetur mbështetjen e nevojshme.
“Thirrja dhe propozimi i PDK-së për koordinim në mes partive më të mëdha politike në vend që të shpërndajmë Kuvendin, nuk ka gjetur mbështetjen e mjaftueshme. Unë mund të hamendësoj për arsyet e gatishmërisë deklarative të partisë në pushtet për të shkuar në zgjedhjet e parakohshme, por vërtet jam i habitur nga mosgatishmëria e partive opozitare për ta bërë një gjë të tillë, sepse mos shkuarje në zgjedhje po ia zgjatë mandatin pushtetit aktual”, theksoi ai.
Krasniqi ka përmendur tri opsione për zgjedhje të parakohshme, duke thënë se opsionin për dorëheqje të Kurtit nuk varet nga opozita.
“Tri opsione janë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Mocioni i mosbesimit të qeverisë për të cilin ne kemi thënë se kur ka mundësi që të jenë 61 vota padyshim që e mbështesim. Për këtë ishim të premten në sallën e Kuvendit të Kosovës për ta votuar rezolutën e propozuar nga AAK e cila parashihte ose shkarkim ose dorëheqje. E dyta është dorëheqja e kryeministrit një gjë që nuk varet nga ne por nga ai dhe e ka bërë të qartë se nuk do të jap dorëheqje, Dhe e treta shpërndarja e Kuvendit. Unë e them sot dhe e përsëris, ne kemi dashur t’ia shkurtojmë mandatin kësaj qeverie 8 muaj më herët. Mendoj që edhe 8 ditë më herët me përfundua këtë qeveri është në dobi të vendit dhe qytetarëve tanë. Në të ardhmen kushdo që mund ta ketë një iniciativë që e sjell një mundësi të zgjedhjeve të parakohshme PDK është konsistente në qëndrimin e vet”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se sa më parë që përfundon ky mandat i qeverisë aktuale, dhe të shkojë në zgjedhje vendi, është më mirë për qytetarët.
Krasniqi po ashtu ka përmendur se Kosovës i duhet qeveri e re kredibile, e përgjegjshme me kryeministër Bedri Hamza.