Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi u shpreh sot se migrimi i madh i qytetarëve të Kosovës në dy vjetët e fundit është fytyra e vërtetë e Qeverisë Kurti.
Në seancën e Kuvendit, ku po debatohet për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës, Krasniqi tha së mbi 100 mijë qytetarë kanë ikur nga Kosova gjatë qeverisjes nga kryeministri Albin Kurti.
“Përgjatë dy viteve të fundit, mesatarisht 147 persona në ditë e lëshojnë Kosovën për me kërku një jetë më të mirë larg vendit. Mesatarisht, mbi 1000 qytetarë në javë. Pra, gjatë dy viteve të Qeverisë Kurti, 107 mijë e 310 qytetarë të Kosovës kanë ikur nga Kosova. Jo si turistë, por si mërgimtarë që e kanë humbur shpresën dhe besimin në perspektivën që mundet me ofruar shteti jonë. Të reja dhe të rinj, vetë dhe me familje nga fshati e qyteti dhe çdo cep i Kosovës…. Kosova po zmbrapset, vendi ynë po shpopullohet, familjet tona po zvogëlohen. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes tënde kryeministër. Ky migrim i paprecendt flet më së miri se sa janë të kënaqur njerëzit dhe familjet me punën tënde. Çkado që flet sot nuk ka asnjë vlerë”, tha ai.