UBT News

Krasniqi: Marrëzia e ka mbuluar pushtetin e Albin Kurtit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, reagoi pas incizimeve të publikuara mes deputetes së LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe Slavko Simiqit të Listës Serbe duke thënë se me Albin Kurtin në krye Kosova jo që nuk ka të ardhme por po cenohet edhe e kaluara e saj e lavdishme.

Përmes një shkrimi në rrjete sociale, Krasniqi e cilësoi të papranueshme ofendimin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të heroit Enver Zymberi si dhe të kolegëve deputetë të partisë së tij.

“Ka vetëm një rrugë për ta ndalë këtë degradim të gjithanshëm: zgjedhje të parakohshme sa më shpejt, për ta kthyer Kosovën në drejtimin e duhur”, shkroi Krasniqi.

Postimi i plotë:

Ofendimi i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i heroit Enver Zymberi – që ra në detyrë duke mbrojtur sovranitetin e shtetit, si dhe i kolegëve të mi të Partisë Demokratike të Kosovës nga eksponentja kryesore e pushtetit të Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës, është manifestimi më i hapur i mentalitetit tinëzar, mashtrues e pa dinjitet, që e ka kjo mazhorancë që sot e drejton vendin. Aq më shumë kur krejt këto paskan ndodhur gjatë serive të koordinimit me punëtorët e Milan Radojçiqit.

Këto ofendime janë të papranueshme dhe përbëjnë dëshminë e radhës se me këtë mentalitet, Kosova jo vetëm që s’ka të ardhme, por rrezikon ta cenojë edhe të kaluarën e saj të lavdishme.

Qeverisja e Albin Kurtit e ka degraduar çdo sferë të jetës. Stagnim në ekonomi, komë në diplomaci, kolaps në shendetësi, degradim në arsim, izolim ndërkombëtar e kërcënim të fjalës së lirë. Tashmë edhe dëshmi konkrete për veprime të koordinuara mes Kurtit e Radojçiqit, përmes mashave të tyre Kusari-Lila e Simiq.

Ka vetëm një rrugë për ta ndalë këtë degradim të gjithanshëm: zgjedhje të parakohshme sa më shpejt, për ta kthyer Kosovën në drejtimin e duhur!

Exit mobile version