UBT News

Krasniqi – Kurtit: Pse po e mbroni Martin Berishajn me kaq besnikëri?

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka publikuar sot një video selfie, përmes së cilës i është drejtuar kryeministrit Kurti me një varg pyetjesh lidhur me arsyet e mos shkarkimit të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj pas raportimeve në media për skandal financiar dhe lidhjes së tij me mafian energjetike serbe.

Krasniqi ka theksuar se mbi 2 milionë euro që i janë dhënë mikut të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Martin Berishaj nga një kompani energjetike sllovene, me degë në Serbi, nuk dihet se ku kanë përfunduar.

“Kjo aferë e Martin Berishajt, e raportuar në media ndërkombëtare, ngre dyshime serioze për Qeverinë e Kosovës. Si mund të flitet për respektimin e shtetit të së drejtës, ndërkohë që përfaqësuesit më të lartë të shtetit tonë përfshihen në afera të tilla financiare dhe ata mbrohen nga krerët e shtetit? Si e ndikon ky skandal imazhin e shtetit tonë, tani kur jemi në prag të liberalizimit të vizave dhe kur kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian?”, ka thënë Krasniqi.

Kreu i PDK-së tha se“qytetarët me të drejtë po pyesin dhe meritojnë të dinë se si u bë që Berishaj për një ditë e mori nënshtetësinë e Kosovës e të nesërmen u emërua ambasador në Kroaci, si e kaloi ai verifikimin e sigurisë nga institucionet përgjegjëse të vendit, si është e mundur që Qeveria po e mbron Berishajn me kaq besnikëri në vend se ta shkarkojë e ta sjellë në Kosovë për hetime serioze, çka di kryeministri për pohimet se milionat e Berishajt janë përdorur për fushata zgjedhore në Kosovë, si dhe a mori GEN-I, me degë në Serbi, kontrata në Kosovë si “shpërblim” në këmbim të parave që ia dha Berishajt?”.

Krasniqi shprehet i habitur për siç tha ai, me heshtjen e kryeministrit Kurti, karshi raportimeve për skandal financiar të ambasadorit Berishaj.

“Dhe më e rëndësishmja: Kryeministër, pse po heshtë për këtë skandal dhe pse po e mbron kaq shumë bashkëpunëtorin tënd të ngushtë, ambasadorin Martin Berishaj? Ju keni premtuar se do ta luftoni korrupsionin, e tash ndodheni në mesin e një skandali rajonal të korrupsionit. Po vepron si një struc kryeministër, duke e zhytë kokën në rërë dhe duke pritë që ky problem disi do të kalojë. Por, këtë herë nuk do t’ia dalësh duke heshtur. Qytetarët po e kërkojnë të vërtetën dhe ata meritojnë ta dinë tregimin e plotë për aferën Martin Berishaj”, ka përfunduar Krasniqi.

Exit mobile version