UBT News

Krasniqi – Kurtit: Nuk ke pse frikësohesh prej deputetëve

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka degraduar procesin e dialogut nga marrëveshje finale me njohje në qendër në marrëveshje me Asociacionin në qendër.

Ai tha se preambula e kësaj marrëveshjeje specifikon neutralitetin që nënkupton heqjen dorë nga njohja e ndërsjellë.

Krasniqi u shpreh se një politikan i ndërgjegjshëm do të kishte shkuar vet në seancë për të raportuar, pa ndonjë mocion.

“Një politikan i përgjegjshëm do të kishte ardhur vetë pa e ftuar dhe pa bërë mocion me kërkesë të tij me iu drejtuar kuvendit, përfaqësuesve të qytetarëve por edhe gjithë popullit të Kosovës për ta njoftuar me dokumentin dhe çdo pikë që përfshihet aty, por kryeministri i Kosovës nuk është këtu as sot. Unë sinqerisht nuk e kuptoj se çfarë pune më të rëndësishme ka kryeministri sesa me ardhur me Kuvend… Po flasim për një marrëveshje preambula e të cilës e specifikon neutralitetin ndaj statusit, pra heq dorë nga njohja e ndërsjellë. Po flasim për një marrëveshje ku nenin 10 pa njohjen e ndërsjellë e pranon Asociacionin, në nenin 7 i jep mundësi krijimit të një sistemi autonom për serbët e Kosovës, e mos të flasim pastaj për nenin 11, pra për aneksin që hapë shumë e shumë pikëpyetje. Mbi të gjitha, nga ajo që kemi parë ajo marrëveshje nuk mund të hyjë në fuqi pa ardhur në Kuvendin e Kosovës për ratifikim. Nga qëllimi shtetëror për një marrëveshje finale me njohjen e ndërsjellë në qendër, ky proces ka degraduar në një marrëveshje të përkohshme me Asociacionin në qendër”, tha ai.

Krasniqi tha se PDK e mbështet mocionin për debat me kusht që kryeministri të jetë i pranishëm në Kuvend.

“Prezenca e kryeministrit është e domosdoshme, i kemi thënë dhe e përsërisim nuk ka pse me ik prej deputetëve dhe nuk ka pse frikësohet prej neve interesat e Kosovës i kemi më të rëndësishme se interesat e pozitave, nëse nuk është sot në Kuvend këtu si PDK mbështesim debatin atë që kemi filluar por me kushtin që kryeministri të vijë në sallë“, tha ai.

Exit mobile version