Në mungesë kuorumi, seanca e jashtëzakonshme për librat në Kuvendin e Kosovës nuk ka filluar. Mirëpo, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë një përjashtim duke i lejuar kryetarët e partive të flasin.
“Nuk ka numra që të fillojmë me seancë të jashtëzakonshme. Mirëpo, po e bëjmë një përjashtim. Le të flasin vetëm kryetarët e grupeve parlamentare”, ka thënë Konfjuca.
I pari fjalën e mori kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili e ka quajtur të turpshëm dhe të jashtëligjshëm vendimin e ministrisë për librat. Ai ka pyetur ministren Nagavci nëse ka përfitime personale nga trefishimi i kostos së librave.
Krasniqi, po ashtu ka thënë se për herë të parë, pas shpalljes së Pavarësisë, qeveria i ka lënë fëmijët e Kosovës pa libra shkollorë.
“Është për keqardhje që po na imponohet për shkak të papërgjegjësisë së kësaj shumice paralametnare që cdo sesion parlamentar ta fillojmë me seancë të jashtëzakonshme sepse gabimet, veprimet e vendimet e kësaj qeverie po e sjellin situatën të jashtëzakonshme. Sot do të duhej të diskutonim për reformën në arsim, në një situatë normale, për mundësitë e reja që i ka krijuar kjo qeveri për nxënësit tonë, por si opozitë e kemi thirrur këtë seancë për diçka që askush s’e kishte paramenduar, që për herë të parë, pas shpalljes së Pavarësisë, kjo qeveri i ka lënë fëmijët e Kosovës pa libra shkollorë. Kjo është e turpshme, e për më tepër është shkelje e ligjit. Përtej përgjegjësisë politike, këta njerëz e kjo ministre ka përgjegjësi penale. E kanë shkelur ligjin, e kanë trefishuar koston e librave duke u thirrur në kursime. Në vend se t’iu kushtonte 4.8 milionë, sot po i shpenzojnë 12 milionë euro”, është shprehur ai.
Ai shtroi pyetje për ministren Nagavci dhe për qeverinë se çfarë plani kanë që t’i kompensojnë humbjet e orëve që I kanë shkaktuar.
“Do ta imponojnë humbjen e kohës, humbjen e orës për vitin e dytë me radhë. Vitin e kaluar i kanë fajësuar mësimdhënësit, duke i quajtur të paaftë e po prodhojnë analfabetë funksionalë, e sivjet prindërve ua kanë qit edhe një barrë të re, të vrapojnë poshtë e lart që t’i blejnë librat. A di kjo ministre të na tregojë se a ka interesa personale, financiare apo tjerë, që prej 4.8 milionë euro e ka bërë koston 12 milionë euro, që t’iu japë pikërisht atyre që i kritikonte, shtëpive botuese. A mund të na tregojë kjo ministre e kjo qeveri se çfarë plani ka që t’i kompensojë humbjet e orëve që e kanë shkaktuar tashmë. A mund të na tregojë se si do ta trajtojnë pabaraziën fundamentale që po e krijojnë për herë të parë në Kosovë duke i bërë disa nxënës pa libra e disa nxënës me libra. Dhe, a mund të na tregojë se kush po aplikon tek e-Kosova, sa kanë aplikuar dhe a janë krejt të Kosovës apo edhe ka të tjerë që s’janë rezidentë fare këtu. 100 pyetje është dashur të bëhen në këtë seancë, unë e di që asnjë përgjigje s’e kishim marrë prej këtyre njerëzve, por a ka diçka më të turpshme sesa ikja e shumicës. Nuk jeni duke ikur prej nesh, por prej qytetarëve. Turp ju qoftë”, ka përfunduar ai.
Në seancë nuk ka marrë pjesë asnjë deputet i Vetëvendosjes, ndërsa nga kabineti prezente ka qenë vetëm ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.