Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka takuar kandidatët e këtij subjekti të çertifikuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Krasniqi i ka falënderuar ata për vendosmërinë e tyre për të kandiduar dhe kontribuuar në demokracinë e procesit zgjedhor.
“Takim përmbajtësor me kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, të çertifikuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, të cilët i falënderova për vendosmërinë e tyre për të kandiduar dhe kontribuar në demokacinë e procesit zgjedhor. Bashkë me Taulant Kelmendin, kandidat për Mitrovicën e Veriut, Albulena Behluli-Hetemin, kandidate për Leposaviq, Izmir Zeqirin, kandidat për Zubin Potok dhe Ilir Pecin, kandidat për Zveçan, diskutuam për përgatitjet lidhur me këtë proces, situatën e tensionuar në veri dhe ndamë shqetësimin për sigurinë e të gjithë qytetarëve atje. Vetë vullneti i tyre i palëkundur për të kandiduar në këto zgjedhje, është akt patriotik dhe në shërbim të forcimit të demokracisë në Republikën e Kosovës. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet kompetente që të krijojnë kushte të favorshme për mbarëvajtjen e këtij procesi, që të jetë i sigurt, demokratik dhe i lirë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Zgjedhjet është paraparë të mbahen më 18 dhjetor.