Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Këtë e ka bërë të ditur vetë ai në një konferencë për media, të thirrur pas një takim të Kryesisë së kësaj partie, duke thënë se dashuria për Kosovën është më e madhe se çdo dallim.
“Dashuria për Kosovën është me e madhe se çdo dallim”, tha ai.
“Në rini, njeriu nuk e di gjithmonë se çfarë do të bëhet, por e di se çfarë dëshiron të besojë. Dhe unë gjithmonë kam ditur se dua të besoj në Kosovën e ëndrrave të mia. Në vitin 2004 iu bashkova PDK-së, në këtë seli ku ndodhem sot vetëm se atëherë isha dy dekada më i ri. Mbi 20 vjet angazhim më kanë dhënë nderin e madh të punoj për shtetin dhe qytetarët tanë. Dhe mbi të gjitha, ndër shumë nderime që kam pasur, më i madhi ka qenë nderi jetësor për të nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Nga ajo përvojë dhe nga njerëzit me të cilët kam bashkëpunuar, kam mësuar se lidershipi është privilegj, dhe se ai dëshmohet me shembull e me forcë. Në këto 4 vjet e 4 muaj kemi kaluar sfida të shumta, por edhe momente të mëdha krenarie. PDK është rritur dhe forcuar. Kur e mora detyrën, partia udhëhiqte vetëm 5 komuna dhe kishte 18 deputetë në Kuvend. Sot jam krenar për arritjet tona – por e di se ende nuk janë përmbushur të gjitha ambiciet tona”, tha ai.
Mëtej Krasniqi tha ky vendim nuk është as i momenti e as nuk lidhet me zhvillimet e fundit politike.
“Sigurisht, kemi pasur edhe sfida. Besoj se çdo kryetar mendon për ditën kur do të vijë momenti për t’u larguar. Pas shumë reflektimi, kam ardhur në përfundim se tani është momenti i duhur. Partia që beson në ndryshim duhet të ketë ripertrirje. Prandaj, sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të PDK-së. Ky vendim nuk është as i momentit, e as i lidhur me zhvillimet e fundit politike. Ai buron nga bindja se është koha për të krijuar një momentum të ri për familjen tonë politike”, tha ai./EO
